Si shkoi procesi i vaksinimit gjatë ditës së sotme?

Katër ditë më parë, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia në një konferencë për media tha se qendrat e vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë do të punojnë edhe të shtunave.

Sot ishte shtuna e parë që procesi i vaksinimit vazhdoi sikur edhe ditëve tjera të punës në gjithë vendin.

KALLXO.com gjatë ditës ka kontaktuar me disa nga koordinatorët e qendrave ku po bëhet vaksinimi kundër COIVID-19.

Ismet Uriqi, koordinator në qendrën e vaksinimit në Komunën e Gjilanit tha se procesi i vaksinimit në këtë qytet ishte i njëjtë si ditëve tjera.

“Sot është e shtunë, mirëpo nuk ka pasur dallim prej ditëve tjera, fare”, ka thënë Uriqi për KALLXO.com.

Ai ka treguar se gjatë ditës kanë punuar gjithsej 12 ekipe dhe se deri në orët e mesditës kanë vaksinuar deri 601 qytetar, përderisa thotë se pret që në mbyllje të ditës numri i të vaksinuarve të arrijë mbi 1,200 persona.

Uriqi ka shtuar se puna e stafit për gjashtë ditës brenda javës është lodhje për ta.

“Është dita e gjashtë e punës së javës”, është shprehur ai, duke shtuar se kjo është ngarkesë e madhe për ta, pasi një mjek brenda ditës trajton 100 deri në 130 pacientë.

Sipas Uriqit, për punën që mjekët bëjnë ditëve të shtuna, nuk ka pagë shtesë, ndonëse kujdestaritë në emergjencë gjatë ditëve të vikendit paguhen.

“Nuk dimë asgjë, nuk ka hala përgjigje. Për shembull mjekët që kanë kujdestaru në emergjencë sot, ata paguhen”, thotë Uriqi.

Interesim të madh për t’u vaksinuar kishte edhe në Komunën e Lipjanit.

Izer Sinani, koordinator në qendrën e vaksinimit ka thënë gjatë ditës janë vaksinuar gjithsej 683 persona.

“Gjatë ndërrimit të paradites janë dhënë 388 vaksina, gjatë atij të pasdites 295”, ka thënë Sinani.

I njëjti ka treguar se gjatë ditës kanë punuar 5 epike mjekësore.

Komuna tjetër e cila ka vazhduar vaksinimin e qytetarëve sot është ajo e Fushë Kosovës.

Fitnete Ferizi, koordinatore e qendrës së vaksinimit ka treguar se procesi i vaksinimit është zhvilluar normalisht si në ditët e tjera, me staf të kompletuar dhe orar të rregullt.

Gjithsej në këtë komunë janë vaksinuar 429 qytetarë.

“Qytetarët janë vaksinuar përmes termineve të caktuara në ‘e Kosova’”, ka thënë ajo.

Vaksinimi ka vazhduar edhe në kryeqytet. Sipas koordinatorit, Naim Bardhi interesimi i qytetarëve ka qenë shumë i madh.

“Procesi i vaksinimit ka vazhduar në nivel vendi, ku të vaksinuar janë sot gjithsej mbi 18,700 qytetar”, ka thënë Bardhi.

Ai ka thënë se nga fillimi deri më sot, në Prishtinë janë administruar mbi 706,000 vaksina.

Sa i përket Komunës së Prizrenit, gjatë ditës janë vaksinuar 1 mijë e 860 qytetarë, thotë Xhengiz Sojtari, koordinator i qendrës së vaksinimit në këtë qytet, duke shtuar se interesimi për tu vaksinuar dukshëm është rritur.

“Janë vaksinuar kryesisht qytetarë me termine të konfirmuara paraprakisht”, ka thënë Sojtari.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me koordinatorët e qendrave në Komunën e Pejës, Ferizajt dhe Gjakovës, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marr përgjigje.