Si shitej kokaina në Gjakovë

Gjykata Themelore në Gjakovë – Departamenti i Krimeve të Rënda ka shpallur fajtor të akuzuarin D. B. me arsyetimin se i njëjti ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Sipas dosjes së Prokurorisë tashmë i dënuari D. B., me datën 30.06.2020 rreth orës 22:20 minuta, ishte ndaluar nga patrullat e Policisë të Stacionit Policor në Gjakovë, gjatë një pikë kontrolli në rr. “. . .” në Gjakovë.

“… kanë ndaluar automjetin…, ngjyrë e zezë me targa…, që drejtonte i pandehuri dhe gjatë kontrollit tek i njëjti në grushtin e dorës së majtë kanë gjetur 6 (gjashtë) qese najloni të mbushura me substancë narkotike në formë pluhuri, ngjyrë e bardhë e llojit Kokainë, në peshë neto të përgjithshme prej 1.91 gram, ndërsa gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, i është gjetur edhe një sasi e substancës narkotike në formë bari ngjyrë e gjelbër, e llojit Marihuanë në peshë prej 0.32 gram”.

D. B. është dënuar me burgim prej 1 vit e 6 muaj, në të cilin dënim do t`i llogaritet koha e kaluar në arrestin shtëpiak prej 30 qershor 2020 e deri më datë 29 nëntor 2020.

Sipas gjykatës, dënim do ta vuaj pas plotfuqishmërisë së këtij vendimi, si dhe dënim me gjobë në shumë prej 2 mijë euro.

“Dënimin i akuzuari duhen ta paguaj në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Nëse i akuzuari nuk dëshiron apo nuk mund ta paguaj dënimin me gjobë në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi atëherë dënimi me gjobë të akuzuarit i zëvendësohet me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 100 (njëqind) ditëve, ashtu që për çdo ditë të kaluar në burg do të llogaritet nga 20 (njëzetë) €uro. Ndaj të akuzuarit D. B. konfiskohet: substanca narkotike e llojit kokainë në peshë prej 1.91 gram, dhe substanca narkotike e llojit marihuanë në peshë prej 0.32 gram, si objekt i veprës penale”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e Gjykatës thuhet se stacioni Policor në Gjakovë, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi të bëjë shkatërrimin e substancave narkotike të përshkruara më lartë, që në polici evidentohen sipas numrit të rastit 2020-DHTN-303.

Gjithashtu është urdhëruar konfiskimi i automjetit, çelësi i veturës, pronë e të akuzuarit, si mjet i kryerjes së veprës penale.

“Urdhërohet Agjencioni për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, që pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, të shesë, likuidoj ose të mbajë pasurinë e luajtshme të cekur me lartë, në kuptim të nenit 284 par.6 të KPP-së. Detyrohet i akuzuari D. B., që t’i paguajë shpenzimet e paushallit gjyqësor në shumën prej 150 (njëqind e pesëdhjetë) €uro, si dhe për programin për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej 50 (pesëdhjetë) €uro të gjitha këto në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykim”, thuhet në njoftim.

Në këtë LINK mund ta ndiqni ecurinë penale dhe fjalën përfundimtare të palëve.