Aksioni ne veri - 28.05.2019

Si raportoi shefi i UNMIK-ut në OKB për aksionin në Veri ku arrestuan dy punonjës të këtij misioni?

Në fund të muajit maj të këtij viti, Policia e Kosovës me urdhër të Gjykatës Themelore të Prishtinës zhvilloi një aksion të madh kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar. Por, telashe për forcat e rendit u hasën në pjesën veriore të Kosovës.

KALLXO.com transmetoi pamjet ekskluzive nga aksioni i Policisë së Kosovës i cili rezultoi edhe me arrestimin e disa personave. Në mes të tyre edhe dy punonjës i UNMIK-ut, njëri nga të cilët ishte shtetas rus. Sipas Policisë së Kosovës, njëri nga të arrestuarit kishte tentuar të pengonte aksionin policor.

Në raportimin e rregullt të tij, Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, përmendi mbrëmë edhe arrestimin e dy personave, pjesëtarë të këtij misioni në Kosovë.

Sipas raportit, gjatë arrestimit të punonjësve të UNMIK-ut nuk u respektua imuniteti i zyrtarëve të këtij misioni.

“Dy punonjës të UNMIK-ut, një punonjës ndërkombëtar dhe një vendor, u arrestuan nga autoritetet e Kosovës nën dyshime për pengim të operacionit policor në dy lokacione në komunën Zubin Potok. Imuniteti në fuqi i personelit nga arrestimi, ndalimi dhe nga procesi ligjor nuk u respektua”, thuhet në raportin e UNMIK-ut.

Raporti po ashtu thekson reagimin nga kjo organizatë mbi arrestimin, sipas tyre, të padrejtë të dy punonjësve.

Më tej, në raport thuhet se dy të arrestuarit kishin marrë lëndime trupore për të cilat kishin pranuar edhe trajtim mjekësor.

“Të dy punonjësit e UNMIK-ut më pas u lanë të lirë. Gjatë arrestimit dhe ndalimit të tyre, të dy pësuan lëndime të rënda që kërkonin shtrimin në spital. Punonjësi ndërkombëtar mori trajtim mjekësor në spitalet lokale dhe më pas u transferua në një spital në Beograd”, thuhet në raportin e Shefit të UNMIK-ut në Kosovë.

Tutje, në raport theksohet edhe veprimi i institucioneve vendore për të shpallur person “non- grata” ( i pa dëshirueshëm) njërin nga të arrestuarit. Por raporti këtë veprim e quan si të pazbatueshëm për personelin e Kombeve të Bashkuara.

“Në gusht, prokurori themelor i Mitrovicës zgjeroi hetimin kundër tetë personave, përfshirë dy punonjësit e UNMIK-ut, për pjesëmarrje në një turmë, kryerje të veprës penale dhe huliganizëm. Në fund të periudhës raportuese, proceset gjyqësore kundër dy punonjësve të UNMIK-ut ishin ende në vazhdim e sipër, me gjithë pohimet e përsëritura të imunitetit”, thuhet konkretisht në raportin e publikuar nga UNMIK.

Në raport thuhet po ashtu se, në lidhje me këtë rast janë iniciuar dy hetime të ndara për të parë nëse punonjësit e UNMIK-ut janë të përfshirë në veprat për të cilat po dyshohen nga Prokuroria e Shtetit të Kosovës. Hetimet ende nuk kanë përfunduar, sipas raportit.

“Përfaqësuesi im Special caktoi një ekip hetimi ad hoc në korrik, duke përfshirë ekspertë ligjorë, hetues dhe të sigurisë të Kombeve të Bashkuara nga jashtë UNMIK-ut për të konstatuar të gjitha faktet në lidhje me dy incidentet që përfshinë arrestimin dhe ndalimin e dy punonjësve të UNMIK-ut. Ekipi i hetimit vizitoi zonën e misionit për të mbledhur informacion dhe për t’u takuar me të gjitha palët e interesuara. Në kohën e shkrimit (të raportit), hetimi nuk kishte përfunduar. Autoritetet e shtetit anëtar të OKB-së, shtetasi i të cilit u prek, gjithashtu filluan një hetim shtetëror të tyre”, thuhet në fund të raportit rreth këtij rasti.

Në mëngjesin e 28 majit, Policia e Kosovës zhvilloi një aksion kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar në tërë territorin e vendit.

Gjatë këtij aksioni u arrestuan 29 persona ndërsa u plagosën dy policë të forcave të rendit dhe 10 persona të tjerë civilë.

Pamje ekskluzive nga arrestimi i pjesëtarit rus të UNMIK-ut

www.kallxo.com