Si qëndrojnë shifrat e të prekurve me coronavirus në Kosovë dhë rajon

Shifrat e të prekurve me coronavirus kanë nisur të rriten sërish ani pse pati ditë që u raportua vetëm nga një rast i prekur me coronavirus.

Numri i të prekurve me COVID-19 sipas statistikave në Kosovë, është 927, nga ta 671 janë shëruar, 29 kanë vdekur ndërsa të tjerët janë duke u trajtuar ende në repartin e infektivës apo në vetizolim.

Mali i Zi ka regjistruar numrin më të vogël të të prekurve me coronavirus në rajon. Gjithsej 324 persona i ka të infektuar Mali i Zi. Gjatë ditës së sotme nuk ka regjistruar ndonjë të prekur të ri ndërsa numri i viktimave nga coronavirus sipas statistikave është 9.

Shqipëria gjatë ditës së sotme ka regjistruar 18 raste të reja ndërsa numri total i të prekurve sipas statistikave është 898.

Numri i viktimave nga coronavirus në Shqipëri është 31.

Maqedonia e Veriut vetëm sot ka regjistruar 29 raste të reja me coronavirus. Numri i të prekurve në përgjithësi në Maqedoni ka arritur në 1 mijë e 723. Numri i viktimave nga coronavirus në Maqedoni ka arritur në 95.

Në rajon, Serbia qëndron me më së shumti të prekur nga coronavirus. Gjithsej 10 mijë e 374 persona janë regjistruar të infektuar me coronavirus. Nga kjo shifër 4 mijë e 84 janë shëruar, 6 mijë e 66 raste janë ende aktive.

Serbia sot ka shënuar dy viktima nga coronavirus dhe 79 raste të reja të infektuar. Numri total i viktimave nga coronavirus në Serbi ka arritur në 224.

Duke pasur parasysh përhapjen e pandemisë nëpër botë, numri i të prekurve me coronavirus 4 milion e 486 mijë e 767.

Nga kjo shifër, janë regjistruar 300 mijë 674 viktima ndërsa 1 milion e 687 mijë e 597 të shëruar totalisht. Pjesa tjetër janë ende raste aktive.