Ilustrim

Si prodhohet suxhuku, kilogrami i të cilit kushton 99 centë?

Në emisionin KALLXO Përnime është diskutuar edhe siguria e mishit të përpunuar. Sipas të ftuarve, është e diskutueshme përbërja e suxhukut, kilogrami i të cilit kushton 99 centë.

Hulumtuesi i BIRN, Visar Prebreza, i ftuar në KALLXO Përnime ka deklaruar se kanë pranuar shumë ankesa nga prodhuesit e mishit të përpunuar, të cilët kanë deklaruar se nuk ka asnjë mundësi që të ketë suxhuk të prodhuar, i cili mund të kushtojë 99 centë.

“Nuk e di qysh po mundem me prodhu suxhuk me 99 centë, por është shqetësuese për këto produkte që vijnë nga mishi i përpunuar për shkak se ka pasur shumë prodhues që kanë ardhur te ne dhe kanë deklaruar se nuk ka shanse që të ketë virshlle me 45 centë apo suxhuk me 99 centë sepse nuk dihet se çka po shtinë aty”, ka deklaruar Prebreza.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi, ka thënë se suxhuku ose virshllet kanë deklaracion të produkteve prej të cilave përbëhen.

“Në deklaracion të atij suxhuku shkruan saktë se çka ka në përbërjen e tij. Unë s’mund të jap spekulime sepse nuk kam me vete shifra të inspektimeve për testimin e përbërësve të ushqimeve. Suxhuku që kushton 99 centë nuk e ka shumicën mish. Shumica është sojë që është e lejueshme për konsum human dhe ka përbërës të tjera, ka imitime”, ka thënë Thaçi.