Si po ecën procesi mësimor i fëmijëve të rikthyer, flet njëri nga arsimtarët

Në emisionin e sotëm të “Drejtësia në Kosovë” u transmetua reportazhi për të rikthyerit dhe sfidat e tyre në risocializim.

Pamje ekskluzive të aktiviteteve të fëmijëve të cilat u mbajtën gjatë verës, janë transmetuar në emisionin e sotëm.

Një arsimtar i cili mëson shtatë nxënës të rikthyer nga zonat e luftës në Siri e Irak tregoi për emisionin “Drejtësia në Kosovë” procesin e shkollimit të tyre.

“Mund të them se kanë bërë një hap të mirë, por janë duke u ambientuar shumë mirë. Këtë jemi duke e vërejtur çdo ditë, nuk e di sa do të ketë sukses të ardhmen por qysh jemi duke e pa në hapat e tyre që janë duke bërë janë shumë mirë. Jam i kënaqur deri këtu”, tha arsimtari.

Ai tregon edhe për sfidat e fëmijëve.

“Sfidat kanë me qenë të ndryshme për ta, duke filluar nga ngacmimet, për arsye se kanë qenë me familjet e tyre në një vend në luftë që vazhdon ende të jetë. Do të kenë sfida edhe në të ardhmen por duke pasur parasysh që kanë filluar të integrohen në shoqëri, s’besoj se do të ketë problem”, tregon tutje ai.

“Fillimi si çdo herë ka qenë i vështirë por duke u marrë me ta ma shumë në mënyrë shoqërore e duke e bë secilin prej tyre shok e shoqe kanë filluar me u liru, por gjithmonë duke e ditur çka po kërkojmë prej tyre që mos t’i bëjmë, të ndihen keq”, tha ai më tutje.

Psikiatrja Valbona Tafilaj e cila është edhe koordinatore për të rikthyerit gra e fëmijë nga Siria, në një intervistë për Drejtësia në Kosovë ka treguar procedurat mjekësore të ndërmarra që nga dita e rikthimit e deri më tani.

Ajo tregon se gjendja e fëmijëve në fillim nuk ka qenë e mirë.

“Prej kthimit të fëmijëve dhe grave ne jemi marrë në aspektin e shëndetit mendor. Gjegjësisht me trajtimin e fëmijëve është marrë reparti i psikiatrisë së fëmijëve por kanë punuar shumë psikiatra dhe psikolog”, tha Tafiulaj.

Ajo shtoi se që nga fillimi fëmijët kanë pasur shenja të risocializimit.

“Gjendja organike ka qenë stabile por dihet që me ndërrimin e klimës me ndërrimin e vendit, ka shumë probleme të cilat janë të menaxhueshme. Në aspektin psikik, dihet se ata kanë qenë në një vend ku ka qenë luftë, kemi fëmijë që kanë përjetuar trauma por me ta kanë punuar psikiatrit dhe psikologët e fëmijëve”, tregon ajo.

Kujtojmë se 110 persona mes tyre edhe 74 fëmijë, nënta nga ta pa dy prindërit janë rikthyer në Kosovë nga vatrat e luftës në prill të këtij viti.

Kosova tani shënon se ka numrin më të madh të të rikthyerve nga vatrat e luftës.