Si parashihet të bëhet zgjerimi i rrjetit të Termokosit?

Nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, ka thënë se ka shumë kërkesa për zgjerimin e  rrjetit të Termokosit nëpër qytetin e Prishtinës.

Në emisioni ‘Kallxo Përnime’, Zogaj tha se zgjerimi do të ndodhë kryesisht në ndërtesa shumëbanesore.

“E para e kemi përgjegjësi për qytetarët e Prishtinës që kanë shumë kërkesa për me u kyç në Termokos. Zgjerimi do të ndodhë kryesisht në banesa ose në ndërtesa shumë banesore, sepse ka fizibilitet ekonomik. Përndryshe, ne kemi kërkesa edhe në Dragodan ku ka shtëpi, ose në Taslixhe, por aty nuk ka fizibilitet ekonomik me shku edhe me zgjeru rrjetin” – tha Zogaj.

Ai bëri të ditur se ekziston një masterplan për zgjerimin, që është i hartuar nga partnerët gjerman.

“Ekziston një masterplan të cilin e kanë ndërtu partnerët tanë gjermanë të KFW bashkë me Termokosin dhe ai masterplan i zgjerimit duhet me u implementu me detaje. Ne e kemi në plan që për vitin e ardhshëm, është përfshihen ‘banesat e bardha’ që është vazhdim i rrugës B” – tha Zogaj.

Ndërsa kryeshefi i Termokosit, Fisnik Osmani, tha se deri në vitin 2024 parashihet të zgjerohet rrjeti me 4 mijë nënstacione të reja.

“Parashikojmë edhe tek ndëertesat e vjetra, si p.sh. në Ulpianë, apo banesat prapa sheshit ‘Zahir Pajaziti’. Parashihet që deri në vitin 2024 të vensoen rreth 4 mijë nënstacione të reja nëpër Prishtinë” – tha Osmani.