Foto: KRIK

Si ndodhi takimi i Pacollit me Milan Radojçiq në jahtë?

Kryetari i AKR-së dhe ish presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli në Kallxo Pernime e ka komentuar fotografinë me Milan Radojçiq në jahtë.

Milan Radojçiq është i kërkuar nga Policia e Kosovës si një nga të dyshuarit për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

“Unë kurrë se kam njohur kush është Milan Radojçiqi. As emrin nuk ia kam dëgju. Unë kam shkuar në Budva dhe është parkuar jahti im në një vend afër, sepse ka qenë më i madhi prej tyre. Derisa është lidh jahti im aty është parkuar një jaht tjetër”, tha ti.

“Është përgatitur sofra për me ngrenë darkë me fëmijët e mi, në atë tavernën aty. Në anën tjetër unë po i shoh deputetët e Republikës së Kosovës, nuk ua kam ditë emrat, por e kam njohur Goran Rakiqin. E kam kryer darkën dhe kemi dalë prej aty. Del Rakiqi prej aty edhe vjen te unë edhe thotë ‘a Behgjet sa mirë që po të shoh’. I kam thanë prit se e kam një befasi për ty edhe e kam thirr Agim Bahtirin sepse ata janë shokë dhe takohen. Bile Agim Bahtiri mu ka idhnu se ka mendu që e kemi planifiku me u taku e se kam ftuar”, vazhdon rrëfimi i Pacollit.

“Rakiqi më thotë, eja tek ne, te jahti ynë për pije. Pa asnjë paragjykim unë hy aty. Të betohem dhe ta jap fjalën e nderit, e kam pi një pije. Se kam ditë jahta e kujt ka qenë. Sa kemi qenë aty ka ardhur një person tjetër dhe është ulë. Askush se ka prezantuar si Milan Radojeçiq. Unë jam dal, i kam marrë fëmijët e mi dhe jam dal në qytet. Unë i kam njohur veç 3 njerëz aty, Rakiqin dhe dy deputetë”, thotë Pacolli.

Sipas tij, takimi ka zgjatur vetëm 10 minuta dhe nuk e ka pasur ndonjë kërkesë ndaj tij.

“Unë kam ndejt krejt 10 minuta. Nuk më kanë lyp asgjë. Më respektojnë mua atje, ma shumë më respektojnë malazezët, maqedonasit e serbët se sa në Kosovë”.