Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Si ndodhi që kallëzimi penal kundër Blerim Isufajt u hodh poshtë brenda një jave?

Agjencia Kundër Korrupsion më 23 shkurt të këtij viti ka ushtruar kallëzim penal kundër kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajt, për dyshimet për deklarim të rremë të pasurisë.

Por ky kallëzim penal u hodh poshtë brenda një jave.

Në emisionin “Kallxo Përnime”, drejtori i kësaj Agjencie, Yll Buleshkaj ka thënë se një gjë e tillë tregon se prokuroria mund të punojë shpejt dhe mirë.

Ai, po ashtu, ka thënë se ndoshta ka ndikuar edhe procesi për garën e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

“Ndoshta për vetë procesin është dashur t’i hiqet kallëzimi penal. Kjo tregon se prokuroria mund të punojë shpejt dhe mirë”, ka thënë Buleshkaj.

Sipas këtij të fundit, AKK nuk e ka dhënë e para një informatë të tillë, por ka rrjedhur nga ndonjë institucion tjetër.

“Secila informatë që pranohet nga diku tjetër dhe kërkohet konfirmimi nga ne, ne e japim atë  konfirmim. Por, nuk jemi të parët që dalim para mediave dhe themi që e kemi bërë këtë kallëzim apo atë tjetrin”, ka thënë ai.

Tutje, drejtuesi i AKK-së ka thënë se kallëzimi penal kundër Isufajt ishte dërguar një muaj e më shumë para se të bëhej publike në media.

“Në prokurori është dërguar një muaj më shumë para se të bëhej publike”, tha ai.

I njëjti tregoi se rasti i Isufajt ka qenë në pritje që nga fundi i 2020-ës apo fillimi i 2021-ës.

Trajtimi i këtij rasti nga AKK është bërë pasi është emëruar Buleshkaj drejtori dhe nuk ka kaluar afatin kohorë pasi për trajtimin e një rasti agjencia ka kohë 6+6 muaj.

“Ka qenë një numër i madh i rasteve që kanë pritur për tu aprovuar nga unë kur kam ardhur, një ndër ta edhe ky rast”, ka thënë ndër të tjera Buleshkaj.

Ky i fundit tregoi se tani nuk ka ndonjë ministër që nuk ka bërë deklarim të pasurisë, por ka zëvendësministra për të cilët ai ka refuzuar t’i tregoj emrat.

“Nuk ka asnjë ministër, por ka ndonjë zëvendës ministër që nuk ka bërë deklarim të pasurisë”, tha Buleshkaj.

Agjencia Kundër Korrupsion ka ushtruar kallëzim penal kundër kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajt.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i kësaj Agjencie, Ylli Buleshkaj.

“AKK ka dorëzuar kallëzim penal kundër Blerim Isufajt”, tha shkurt Buleshkaj.

Sipas Agjencisë, Isufaj dyshohet se ka bërë deklarimit të rremë të pasurisë, përkatësisht ka rënë ndesh me nenin 430, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, i cili bën deklaratë të rreme ose nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryesi të përfill urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit”, thuhet në paragrafin 2 të nenit 430 të Kodit Penal.

Kallëzimi penal ndaj Isufajt kishte ardhur në prag të garës për Kryeprokuror të Shtetit, në të cilën ai ka konkurruar.

Antikorrupsioni dorëzon kallëzim penal kundër kryeprokurorit Blerim Isufaj