Policia e Kosovës

Si ndodhi aksidenti ku dyshohet se u kanos qytetari nga një polic?

“O krejt kena me të mytë” – dyshohet se është kërcënimi që ka pranuar në mbrëmjen e djeshme një qytetarë nga një zyrtar i Policisë së Kosovës.

Qytetari dyshohet se kërcënimin e kishte pranuar gjatë kohës sa ndodhej në një veturë zyrtare të policisë, si i arrestuar.

Ekziston dyshimi se kërcënimi kishte ardhur pas një incidenti që kishte ndodhur në një nga rrugët e lagjes “Kodra e Trimave” në Prishtinë.

E gjithë ngjarja dyshohet se kishte filluar kur i arrestuari, që po voziste një motoçiklete, fillimisht kishte kaluar në rrugën Fahri Fazliu. Atij iu ishte kërkuar nga zyrtarët policor që të ndalej, mirëpo i njëjti kishte injoruar një urdhër të tillë.

Kur kishte ndodhur ky rast, në bazë të video incizimeve të publikuara në media, nga zyrtari policor, që edhe dyshohet se e kreu kërcënimin, pretendohet se i arrestuari kishte shkelur një polic.

Më saktë, në video polici dëgjohet duke thënë “A e shkele policin, majmun”, përderisa arsyetimi i të arrestuarit është “Pse më dul ai në udhe”.

Raporti 24 orësh i Policisë dëshmon se me të ndodhur skena e parë, i dyshuari duke mos respektuar urdhërin kishte ikur nga vend ngjarja, e gjatë ikjes ishte aksidentuar.

Kërcënimi i qytetarit nga një polic, IPK fillon hetimet

Video incizimet e publikuara në media shfaqin një zënkë fjalësh që njëri nga zyrtarët policor që ishte në vendin e ngjarjes ka pasur me të arrestuarin.

Në bazë të këtyre videove, i arrestuari ngritë dyshimet se ndaj tij është përdorur edhe dhunë. “Më keni rreh, më keni shajt me nanë” – dëgjohet duke thënë ai.

Pas kësaj, nga dera e veturës, ku brenda gjendej i arrestuari, polici dëgjohet duke i thënë “O krejt kena me të mytë”.

Pas publikimit të këtyre video incizimeve, Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se ka filluar një hetim paraprak.

Sipas një përgjigje të dhënë për KALLXO.com, IPK ka thënë se hetimi në fjalë ka filluar nga hetuesit sipas detyrës zyrtare.

“Ju konfirmojmë se pas publikimit të video incizimit në medie, hetuesit e IPK-së sipas detyrës zyrtare kanë filluar një hetim paraprak” – thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Përderisa, në njoftimin e Policisë është thënë se rasti është iniciuar si “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe që i arrestuari është dërguar në mbajtje.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore në Prishtinë për të parë se çfarë veprime kanë kryer lidhur me rastin, mirëpo ende nuk ka marr përgjigje.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës dënon veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Sipas këtij kodi, personi i arrestuar në këtë rast mund të dënohet nga 6 muaj deri në 5 vjet.

Neni 402 i këtij kodi thotë se kushdo që sulmon ose kanoset seriozisht se do ta sulmojë personin zyrtar, apo personin i cili ndihmon në kryerjen e detyrave zyrtare, në lidhje me detyrat zyrtare, dënohet me burgim prej 3 muaj deri në 3 vjet.

Tutje thuhet se na rastet kur vepra penale përfshin gjyqtarin, prokurorin, policin, zyrtarin doganor, zyrtarin korrektues, në lidhje me detyrat zyrtare, sigurinë e përgjithshme, sigurinë e Republikës së Kosovës apo ruajtjen e rendit publik, dënohet me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.

Po ashtu, pika e tretë e këtij neni tregon se nëse vepra penale rezulton me lëndim të lehtë trupor të personit zyrtar apo ndihmësit të tij ose përfshin kanosje për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm, kryesi dënohet me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.

Mirëpo, nëse vepra penale rezulton me lëndim të lehtë trupor të gjyqtarit, prokurorit, policit, zyrtarit doganor, zyrtarit korrektues, ose përfshin kanosje për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm, kryesi dënohet me burgim prej 1 deri në 8 vjet.

Ndërsa në rastet kur, lëndimi është i rëndë trupor të personit zyrtar apo ndihmësit të tij, kryesi dënohet me burgim prej 1 deri në 10 vjet.

Dhe në rastet kur lëndimi i rëndë trupor i shkaktohet gjyqtarit, prokurorit, policit, zyrtarit doganor apo zyrtarit korrektues, kryesi dënohet me burgim prej 2 deri në 12 vjet.

Dhe nëse kryesi i veprës penale nga ky nen është provokuar nga veprimi i kundërligjshëm apo i vrazhdë i personit zyrtar, gjykata mund ta zbusë dënimin.

Në anën tjetër, ky kod dënon edhe veprën penale “Kanosja”.

Neni 181 i këtij kodi tregon se kushdo që seriozisht e kanos personin tjetër me fjalë, vepra apo gjeste se do t’i shkaktoj ndonjë të keqe me qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit te personi i tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj.

Paragrafi i dytë i këtij neni thotë se kushdo që seriozisht i kanoset personit tjetër me fjalë, vepra apo gjeste se do ta privojë nga jeta ose se do t’i shkaktojë lëndim të rëndë trupor, se do ta rrëmbejë ose privojë nga liria ndonjë person tjetër ose se do ta dëmtojë me armë zjarri, me shpërthim ose me mjete të tjera të rrezikshme, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit.

Paragrafi tretë thotë se kur vepra penale kryhet ndaj personit zyrtar në lidhje me punën apo me pozitën e tij ose ndaj disa personave ose kur vepra kryhet nga kryesi i cili vepron si anëtar i grupit, kryesi dënohet me burgim prej 6 muaj deri në 5 vjet.

Dhe po ashtu kushdo që kryen vepër penale nga ky nen ndaj viktimës së ndjeshme ose me përdorim të armës, mjetit të rrezikshëm ose ndonjë sendi tjetër me të cilin mund të shkaktohet lëndimi trupor ose dëmtimi i rëndë për shëndetin, dënohet me burgim prej 1 deri në 5 vjet.