Si mori projekte në KEDS kompania e anëtarit të Bordit të ZRrE-së?

Një hulumtim i gjatë i emisionit ‘Jeta në Kosovë’ zbardh skemën mbi të cilën kompani në pronësi të Blerim Devollit të regjistruara në shtetin e Maltës do përfitojnë nga tarifat nxitëse për prodhimin e energjisë nga dielli.

Hulumtimi zbardh edhe lidhjet e kompanisë “Electra”, në të cilën është bashkëpronar edhe Selman Hoti, anëtari i Bordit të ZRrE-së, me bizneset e Blerim Devollit.

Selman Hoti, anëtari i bordit të Zyrës së Rregullatorit, ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion se ka aksione në një biznes të quajtur “Electra”.

Hulumtimi i “Jeta në Kosovë” zbulon që “Electra” ka qenë kontraktor i dy kompanive të lidhura me Blerim Devollin, “Birra Peja” dhe “Frigo Food”. Saktësisht “Electra” e ka ndërtuar parkun solar në Gjakovë. Këtë punë “Electra” e ka bërë para se Selman Hoti të emërohet si anëtar Bordi në ZRrE.

Përveç kompanive të Blerim Devollit, kompania “Electra” ka kryer punë edhe për KEDS-in. Këtë e ka publikuar vetë kompania në faqen e tyre zyrtare.

“Kompania Kosovare për furnizim dhe distribuim me energji elektrike KEDS çdo vit bën investime për përforcimin dhe modernizimin e rrjetit në Republikën e Kosovës. Kompania Electra çdo vit është kontraktor i KEDS në implementimin e projekteve në tension 0.4kV dhe 20kV. Në këto projekte përfshihen, kanalizime kabllovike, Largpërçues, Trafostacione distributive, stabilimente shpërndarëse si dhe kyçje industriale – shtepiake”, thuhet në faqen zyrtare të kompanisë “Electra”.

Pronari i kompanisë “Eletra”, Selman Hoti dhe bashkëpronari i tij, Lutfi Gashi, nuk kanë pranuar të intervistohen nga “Jeta në Kosovë”.

Hoti ka thënë se nuk është në konflikt të interesit.

“Marr parasysh këto dispozita ligjore, pas emërimit në pozitën e anëtarit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, si pronar i kompanisë “Electra” SH.P.K., kam transferuar të drejtat e administrimit dhe menaxhimit”, ka thënë Hoti.

Hoti thotë se i ka njoftuar edhe Agjencin Kundër Korrupsionit për posedim të aksioneve dhe se deri më tash nuk ka marrë asnjë vërejtje nga ky institucion.

“Sipas këtij ligji më njihet e drejta e zotërimit pasiv të aksioneve ose pjesëve në kapital, ku paraqitet gjendja në të cilën pronari ruan të drejtën e përfitimit të frutave të pronësisë, por nuk mund të ushtroj vet asnjë veprim tjetër mbi këtë pronë, dhe të gjitha veprimet tjera si administrimi, zotërim, kryhen nga personi i besuar nga pronari”, ka thënë Hoti.

Kurse, për projektet që ka implementuar Electra tek bizneset Birra Peja, Frigo Food dhe KEDS-i, Hoti ka thënë se duhet të pyetet menaxhmenti aktual i kompanisë.

“Unë si anëtar I BORD-it te ZRRE-se kam përgjegjësi ligjore te marr vendime të rëndësishme për sektorin e energjisë dhe për kompanitë e licencuara, sa i përket projekteve me KEDS-in mund t’ ju drejtoheni atyre kompanive , unë nuk jam kompetent për të dhënë sqarime të tilla”, ka thënë Hoti.

Në lidhje me këtë çështje, as KEDS nuk ka kthyer përgjigje për “Jeta në Kosovë”.

“Jeta në Kosovë” ka gjetur se Blerim Devolli, përmes gjashtë bizneseve, do të përfitojë tarifa nxitëse për prodhimin e 16.7 megavatëve nga 30 megavat sa është totali i kapaciteteve të energjisë solare të përkrahura nga shteti. Dy kompani të Blerim Devollit, “Frigo Food Kosova” dhe “Birra Peja” kanë përfituar tarifa nxitëse prej 136.4 euro për megavat nga vendimi i bordit të ZRrE-së i datës 19 maj 2016.

Kurse, me katër biznese të tjera ka përfituar nga vendimi i datës 27 nëntor 2019: “Building Construction Kosove L.L.C”, “Alsi & Co Kosovë”, “Energy Development Group” dhe kompania e katërt është “Devolli Group” të cilës i është ndërruar emri në “Abrazen”.