Si kundërvënie ndaj Kinës, NATO-ja dhe partnerët aziatikë bashkohen nën lidershipin amerikan
Në vitin e tretë të luftës në Ukrainë, NATO-ja pritet t’i thellojë marrëdhëniet me katër partnerët e saj nga Indo-Paqësori, të cilët edhe pse nuk janë pjesë e aleancës ushtarake, po bëhen të rëndësishëm derisa Rusia dhe Kina po i forcojnë raportet për t’iu kundërvënë Shteteve të Bashkuara dhe derisa dy Koretë kanë qëndrime të kundërta kundrejt konfliktit në Evropë, analizon agjencia e lajmeve, AP.
Liderët e Zelandës së Re, Japonisë dhe Koresë Jugore për të tretin vit me radhë do të marrin pjesë në samitin e NATO-s, i cili ka nisur sot në kryeqytetin amerikan, derisa Australia do ta dërgojë zëvendëskryeministrin e saj. Kina do të përcjellë samitin me sytë katër, e shqetësuar prej interesimit në ngritje të aleancës përtej Evropës dhe Hemisferës Perëndimore.
“Përherë e më shumë, partnerët në Evropë po i shohin sfidat në pjesën tjetër të botës në Azi se janë relevante edhe për ta, sikur se edhe partnerët në Azi që po i shohin sfidat në pjesën tjetër të botës në Evropë si relevante për ta”, ka deklaruar sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, javën e kaluar në Institutin Brookings.
Kryediplomati amerikan ka thënë se SHBA-ja po punon për t’i thyer barrierat ndërmjet aleancave evropiane, koalicioneve aziatike dhe partnerëve tjerë anembanë botës. “Kjo është pjesë e spektrit të ri, gjeometrisë së re që po e jetësojmë”.
Vendet që ndajnë shqetësime të përbashkëta sigurie po i fuqizojnë lidhjet derisa po përshkallëzohet konkurrenca ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Uashingtoni po mundohet t’ia frenojë Kinës ambicien për ta sfiduar rendin botëror nën timonin amerikan, të cilin Pekini e konteston si mendësi të Luftës së Ftohtë me synim për t’ia prerë udhën ngritjes së pashmangshme të Kinës, shkruan AP-ja.
Pekini reagoi me zemërim të hënën kundrejt raporteve të pakonfirmuara se NATO-ja dhe katër partnerët e saj nga Indo-Paqësori pritet të nxjerrin një dokument me të cilin do të trasojnë marrëdhëniet dhe aftësinë e tyre për t’u kundërpërgjigjur ndaj kërcënimeve nga sulmet kibernetike dhe dezinformimi.
Lin Jian, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze, ka akuzuar NATO-n për “shkelje të kufijve të saj, zgjerim të mandatit të saj, shtrirje përtej zonës së saj të mbrojtjes dhe për nxitje të konfrontimit”.
Lufta në Ukrainë, që ka vënë në siklet Perëndimin kundrejt Rusisë dhe miqve të tij, ka forcuar argumentin për bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet SHBA-së, Evropës dhe aleatëve të tyre aziatikë. “Ukraina e sotme mund të jetë Azia Lindore e së nesërmes”, ka deklaruar kryeministri japonez, Fumio Kishida, para Kongresit Amerikan në prill.
SHBA-ja dhe Koreja Jugore akuzuan Pyongyang-un për furnizim të Rusisë me armatim, përderisa presidenti rus, Vladimir Putin, vizitoi Korenë Veriore muajin e kaluar dhe nënshkroi një pakt me liderin Kim Jong Un që drafton asistencën e përbashkët ushtarake.
Koreja Jugore dhe Japonia njëherësh po i ofrojnë armatim dhe ndihma Ukrainës. SHBA-ja gjithashtu thotë se Kina po i ofron Rusisë mjete makinerie, pajisje mikroelektronike dhe teknologji tjetër që ia mundëson të prodhojë armatim për përdorim kundër Ukrainës, shkruan agjencia AP.
Presidenti jugkorean, Yoon Suk Yeol, do të përçojë në Uashington “mesazhin e fortë në lidhje me bashkëpunimin ndërmjet Rusisë dhe Koresë Veriore dhe do të diskutojë shtigjet për ta avancuar bashkëpunimin në mesin e aleatëve të NATO-s dhe partnerëve të Indo-Paqësorit”, ka deklaruar zëvendëskëshilltari i tij kryesor për siguri kombëtare, Kim Tae-hyo.
Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com