Ilustrim

Si ka ndryshuar jeta për afganët që nga pushtimi i Afganistanit nga talebanët?

Më 15 gusht 2021, talebanët e përmbysën qeverinë e Ashraf Ghani dhe morën pushtetin në Afganistan. Një vit më vonë, ky vend po përballet me sfida të shumta që kërkojnë vëmendje të menjëhershme globale.

Talebanët e befasuan botën kur e pushtuan Kabulin më 15 gusht të vitit të kaluar duke përjetuar pak ose aspak rezistencë nga forcat e ish-presidentit Ashraf Ghani. Grupi fondamentalist islamik më në fund arriti të kthehej në pushtet pasi SHBA përmbysi regjimin e tyre në një pushtim ushtarak në vitin 2001.

Ekspertët thonë se rënia e qeverisë së Ghani ishte e pashmangshme pasi forcat e NATO-s filluan të tërhiqeshin nga vendi i shkatërruar nga lufta në maj të vitit 2021 si rezultat i marrëveshjes së Uashingtonit me talebanët në shkurt të vitit 2020. Megjithatë, të pakët ishin ata që prisnin që Afganistani do të binte kaq shpejt në duart e militantëve.

Përveç ndikimit gjeopolitik të kthimit të talebanëve në pushtet, jeta për afganët e zakonshëm ka ndryshuar në mënyrë drastike që nga viti i kaluar – kryesisht për keq.

Progresi në prapakthim

Pavarësisht kritikave kundër qeverive të mbështetura nga SHBA në Afganistan pas përmbysjes së talebanëve në vitin 2001, Afganistani kishte shënuar progres në disa fronte në dy dekadat e fundit.

Mediat e pavarura kishin lulëzuar nën ish-presidentët Hamid Karzai dhe Ashraf Ghani, të drejtat e njeriut kishin parë një përmirësim esencial, një numër në rritje i vajzave kishin filluar të shkonin në shkollë dhe universitete dhe klasa e mesme e Afganistanit kishte përjetuar prosperitet relativ gjatë së njëjtës periudhë.

Gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit, këto arritje janë ndryshuar kryesisht.

Talibanët nuk i kanë përmbushur shumicën e premtimeve të tyre sipas marrëveshjes së Dohas të vitit 2020. Ata kanë hezituar ta formojnë një qeveri gjithëpërfshirëse në vend, ndërkohë që vajzat mbi klasën e gjashtë nuk lejohen të shkojnë në shkollë. Gjithashtu, gratë nuk lejohen të punojnë në shumicën e sektorëve dhe ato mund t’i vizitojnë parqet publike vetëm në ditë të caktuara.

Ekonomia e Afganistanit tani është në rënie të lirë, me paralajmërimin e OKB-së për një katastrofë humanitare që po shpërfaqet atje.

Që nga marrja e pushtetit, talebanët kanë bërë presion ndaj komunitetit ndërkombëtar që t’i njohë ata si udhëheqësit legjitimë të Afganistanit.

Njohja ndërkombëtare është thelbësore për talebanët për ta shmangur kolapsin e mundshëm ekonomik. Miliona afganë janë të papunë dhe llogaritë e tyre bankare janë ngrirë. Shumë njerëz po i shesin pasuritë e tyre për të blerë ushqime, me komunitetet urbane që përballen për herë të parë me pasiguri ushqimore në nivele të ngjashme me zonat rurale.

Në janar, Kombet e Bashkuara bënë “apelin më të madh ndonjëherë” për ndihmë humanitare për një vend të vetëm, duke thënë se i duheshin 4.4 miliardë dollarë (3.9 miliardë euro) për Afganistanin për ta parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të “krizës humanitare në rritje më të shpejtë në botë”.

Mirëpo, komuniteti ndërkombëtar ka hezituar t’ua dorëzojë fondet drejtpërdrejt talebanëve, nga frika se ata do t’i përdorin paratë për të blerë armë. Për të njëjtën arsye, Uashingtoni ka refuzuar t’i shkrijë asetet bankare të Afganistanit.

Përkeqësim i të drejtave të grave

Sipas OKB-së, Afganistani është i vetmi vend në botë ku vajzat nuk lejohen ta ndjekin shkollën e mesme.

Një numër i madh grash që punonin në pozicione të ndryshme në administratat e mëparshme – nga niveli ministror deri te nëpunësit e zyrës – u dërguan në shtëpi nga talebanët në muajt e parë të qeverisjes së tyre.

Shumë gra afgane dolën në rrugë për të protestuar kundër vendimeve shtypëse të talebanëve. Grupi i linjës së ashpër e përdori forcën për t’i shtypur protestat, duke arrestuar shumë aktiviste për të drejtat e grave.

“Më pak se një vit pas pushtimit të Afganistanit nga Talibanët, politikat e tyre drakoniane po i privojnë miliona gra dhe vajza nga të drejtat e tyre për ta bërë jetë të sigurt, të lirë dhe të përmbushur,” deklaroi në muajin korrik Agnes Callamard, sekretarja e përgjithshme e Amnesty International dhe vëzhguese e të drejtave.

Pavarësisht presionit nga qeveritarët islamikë, shumë gra afgane ende po përpiqen ta bëjnë zërin e tyre që të dëgjohet.

Disa gra protestuese janë larguar nga ky vend, por të paktën pesë grupe për të drejtat e grave janë ende aktive atje. Disa prej tyre po e ngrenë zërin e tyre në rrjetet sociale kundër shtypjes së talebanëve, arrestimeve arbitrare, zhdukjeve të detyruara, për të mos i përmendur edhe torturat fizike dhe psikologjike.

Zholia Parsi, avokate e të drejtave të grave, deklaroi për Dë se zgjodhi të vazhdojë protestën e saj për t’ia mbrojtur të ardhmen e fëmijëve të saj.

“Njëra nga vajzat e mia tani do të duhej të ishte duke studiuar në universitet, ndërsa tjetra duhej të ishte në klasën e 11. Kur shikoj gjendjen e tyre psikologjike, nuk më mbetet gjë tjetër veçse të protestoj. Derisa t’i kthej të drejtat tona, nuk do të hesht. ” ajo tha.

Media e lirë nën kërcënim

Mediat e pavarura shihen si armik nga talebanët. Ky sketor përparoi me hapa të mëdhenj midis viteve 2001 dhe 2020, por tani mijëra gazetarë afganë janë ose në mërgim ose e kanë humbur punën e tyre.

Sipas Reporterëve pa Kufij, 43% e mediave afgane janë mbyllur në tre muajt e fundit. “Nga 10,780 njerëz që punonin në redaksitë afgane (8,290 burra dhe 2,490 gra) në fillim të gushtit 2021, vetëm 4,360 punonin në dhjetor (3,950 burra dhe 410 gra), ose katër nga dhjetë gazetarë, sipas Reporterëve pa Kufij.

Mohammad Zia Bumia, udhëheqësi i Shoqatës së Mediave të Lira të Azisë Jugore për Afganistanin, tha për Dë se pas rënies së qeverisë së Ashraf Ghani, shumë media afgane e mbyllën veprimtarinë e tyre, duke lënë të papunë qindra gazetarë afganë.

Shtpja e talebanëve dhe përkeqësimi i situatës ekonomike janë gjithashtu arsyet e një peizazhi mediatik të përkeqësuar, tha ai.

“Talibanët kanë vendosur censurë të rreptë në media – në lajme si dhe në argëtim,” shtoi ai.

Reporterët pa Kufij thonë se gratë gazetare kanë vuajtur më shumë që nga pushtimi i Afganistanit nga talibanët.

“Talebanët u përpoqën të më arrestonin në shumë raste. Ata vizituan shtëpinë tonë disa herë. Kur ata i dhanë një paralajmërim familjes sime, nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të largohesha nga Afganistani,” tha për Dë Saleha Ainy, gazetare afgane që iku në Iran.

Hujatullah Mujadidi, udhëheqësi i Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Afganistanit, i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare t’i mbështesë gazetarët afganë.

Rreziqet që e presin Afganistanin

Pavarësisht peshës së situatës, kriza e Afganistanit po merr pak vëmendje nga komuniteti ndërkombëtar, pasi konflikti në Ukrainë dhe tensionet mbi Tajvanin po e dominojnë axhendën globale.

Disa vëzhgues thonë se situata aktuale në Afganistan është në mënyrë shqetësuese e ngjashme me skenarin gjeopolitik në fund të viteve 1990. Talibanët e morën pushtetin në vitin 1996, por komuniteti global nuk i kuptoi plotësisht pasojat e mundshme të atij zhvillimi.

Larg vëmendjes globale – dhe mes mungesës së interesit për çështjet afgane – Afganistani u bë një qendër e grupeve militante lokale dhe ndërkombëtare. Vrasja e fundit e shefit të al-Kaidës, Ayman al-Zaëahiri, në Kabul është vetëm një shembull i rrezikut të afërt.

“Talebanët kanë lidhje me terroristët ndërkombëtarë. Kthimi i tyre në pushtet i ka dhëë kurajo organizatave xhihadiste në rajon. Ndërkohë që ata konsolidohen, lidhjet e tyre taktike dhe strategjike me financuesit dhe sponsorizuesit e terrorizmit do të rriten dhe përfundimisht do ta rrezikojnë paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, tha për Dë, Farid Amiri, ish-zyrtar i qeverisë afgane./ Ahmad Hakimi/DW