Ilustrim

Si ishte rrëzuar helikopteri ushtarak serb nga dëshmori Naser Brahimaj?

Helikopteri serb i rrëzuar në vitin 1998 në fshatin Këpuz, u bë nga dëshmori Naser Brahimaj, i njohur ndryshe si Komandant Bardheci. Bashkëluftëtari i tij, ka rrëfyer për RTV Dukagjinin momentin e rrëzimit të helikopterit.

Pos këmbësorisë, artilerisë së rëndë dhe mjeteve të blinduara, forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, kishin përdorur edhe helikopter.

Një të tillë e kishin vënë në funksion në vitin 1998 në regjionin e Dukagjinit, porse operacioni i tij, kundër UÇK-së, kishte përfunduar keq.

Disa ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin arritur që ta rrëzojnë atë. Në krye të këtij misioni kishte qenë Naser Brahimaj që tani është dëshmor i kombit.

Historinë e kësaj ngjarje tani e rrëfen bashkëluftëtari i tij Xhevdet Brahimaj.

“Kemi shumë momente në vija të frontit, mirëpo me kujtohet momenti kur kemi qenë në fshatin Këpuz, dhe aty është rrëzuar helikopteri i forcave serbe nga Naseri… Ne kemi qenë aty si bashkëluftëtarë te tij, kam qenë unë, Nezir Neziri tashmë i ndjerë dhe dy persona të tjerët të fshatit, dëshmori Ganiu dhe Blerimi i cili është gjallë. Ne kemi pasur një armë mitraloz me kalibër 12.7, njëherit arma më e madhe që e kemi poseduar ne si UÇK dhe me atë armë është rrezuar helikopteri nga Naseri”, ka rrëfyer Xhevdet Brahimaj, bashkëluftëtar.

Naser Brahimaj, heroikisht kishte rënë dëshmor me 5 prill të viti 1998.

E bashkëluftëtari i tij, Xhevdeti, i cili atë ditë ishte i plagosur në dy këmbë, tregon momentin kur mori vesh se Naseri kishte rënë dëshmorë.

“Kur e kam marrë vesh se Naseri është vrarë, kam qenë i plagosur edhe vetë, u kanë një moment shumë i vështirë dhe ka qenë e papranueshme mu vra ai djalë, edhe plagët e mija që i kam pas duke i shëru, por kur mora vesh për të I harrova edhe plagët e mija, gjynah të vrahet ai djalë, ka qenë luftëtar shumë i zoti”, ka shtuar ai.

Të freskët luftëtari Xhevdet Brahimaj, e ka edhe bisedën e fundit më komandant Naser Brahimajn, që njihej edhe si komandant Bardheci.

“Fjala e fundit ka qenë më të kur unë kam qenë I shtrirë në Spitalin Ushtarak në Zhebel, ku Naseri ka ardhur dhe më ka vizituar aty, dhe më tha qu, qu çka je ligë kështu, e unë I thash o nuk po mundem se për qef po, dhe i thash po e sheh edhe vetë që jam i plagosur në dy këmbë”, ka përfunduar Xhevdet Brahimaj, bashkëluftëtar.

Të gjithë këta ish-ushtarë të UÇK-së, kanë shërbyer në Zonën Operative të Dukagjinit./Dukagjini.com