
Si ia doli mafia shqiptare ta marrë kontrollin mbi rrjetin e trafikimit në Evropë?
Amerika duhet të bëhet e ashpër kundër karteleve meksikane të drogës, deklaroi në fillim të këtij muaji ish-Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, William Barr. Duke i krahasuar me ISIS-in, ai i dha mbështetjen e tij një rezolute të përbashkët nga dy senatorë republikanë, duke i dhënë presidentit amerikan autoritet për ta vendosur ushtrinë kundër karteleve në Meksikë. Dështimi për ta bërë këtë, paralajmëroi ai, do t’i ipte mundësinë karteleve të vazhdojnë ta vërshojnë SHBA-në me “drogat e tyre vdekjeprurëse në shkallë industriale”. Strategjia e Amerikës kundër drogës ishte e paefektshme, sepse, thotë Prokurori Barr, “ajo e lë të paprekur zinxhirin e furnizimit të drogës… përparimi i vërtetë kërkon sulmin agresiv të furnizimit të drogës në burimin e saj”. “Koka e gjarprit është në Meksikë”.
Europa duhet ta zbatojë një qasje të ngjashme nëse dëshiron ta zgjidhë krizën e emigrantëve. Marrëveshja e dakorduar javën e kaluar midis Britanisë dhe Francës për ta trajtuar krizën e anijeve të vogla në Kanal nuk do të jetë në suksesin e saj sepse nuk e sulmon krizën në burimin e saj.
Kryeministri britanik Rishi Sunak dhe presidenti francez Emmanuel Macron janë të vetëdijshëm për këtë. Në deklaratën e përbashkët të lëshuar në përfundim të samitit të së premtes në Paris, kishte një zotim për ta “forcuar shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin për një sërë kërcënimesh” këto përfshijnë terrorizmin, trafikun e drogës dhe ‘krimin e organizuar të lidhur me emigracionin’.
Është e qartë se ka pasur një ndryshim në retorikën e Sunak në javët e fundit. Qoftë në seancën gjatë Pyetjeve për Kryeministrin, qoftë duke e vizituar një qendër kontrolli në Dover apo qoftë duke folur në samitin anglo-francez në Paris, Sunak ka përsëritur se çelësi për ta goditur krizën e emigrantëve është “thyerja e ciklit të bandave kriminale”.
Koka e gjarprit të trafikut të Evropës është Shqipëria, rrjeti i fuqishëm mafioz i së cilës është përhapur në perëndim prej dy dekadash. Vitin e kaluar qeveria gjermane raportoi se kishte 40 banda shqiptare në vend, të cilat po pasuroheshin dhe po bëheshin më të dhunshme, ndërkohë që po e zgjerojnë biznesin e drogës dhe trafikimit të njerëzve. Kjo prani e mafisë shqiptare përsëritet në Belgjikë, Spanjë, Greqi, Francë, Luksemburg dhe tani edhe në Britani.
Pikat e forta të mafias shqiptare janë, sipas policisë belge, “disiplina, besueshmëria dhe profesionalizmi i gangsterëve, (dhe aftësia e tyre për t’u lidhur)… veçanërisht shpejt me organizatat e tjera kriminale. Një lidhje e tillë është me kartelet e drogës në Amerikën Latine, të cilët i furnizojnë shqiptarët me kokainën që futet kontrabandë në Evropë.
William Barr flet lidhur me atë se si kartelet meksikane ‘përdorin taktika të ryshfetit dhe terrorit për ta ngulitur veten’. Ky ka qenë edhe modus operandi i mafias shqiptare. Në vitin 2016, Europol, agjencia e BE-së për bashkëpunimin e zbatimit të ligjit, raportoi se 90 për qind e emigrantëve që arrinin në BE përdornin një rrjet kontrabande, duke gjeneruar nga 5 deri në 6 miliardë dollarë për bandat kriminale. Duke punuar me mafian italiane, shqiptarët, sipas një instituti francez, kanë “korruptuar mijëra nëpunës civilë, të cilët për këtë arsye i mbyllin sytë ndaj cilësisë së letrave false, apo edhe ndihmojnë në nxjerrjen e tyre”.
Shqipëria e ka themeluar Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në vitin 2019 të kryesuar nga Arben Kraja, kryeprokurori special. Në një intervistë në vitin 2021, Kraja pranoi se “grupet e organizuara kriminale po i rrisin aktivitetet e tyre…për të përfituar nga mundësitë e ofruara nga globalizimi”.
Kraja thotë se Spak u përball me një sfidë të madhe, një sfidë e vështirësuar nga “korrupsioni dhe mosndëshkimi i zyrtarëve të nivelit të lartë”. Mes të akuzuarve ose të dënuarve në Shqipëri për korrupsion është një ish-ministër i qeverisë dhe ish-kryeprokurori i vendit.
Mafia shqiptare ka krijuar rrjete trafikimi në të gjithë Afrikën e Veriut – nga Maroku në Libi – si dhe në Ballkan, duke i kontrolluar rrugët e migrimit dhe kampet e tranzitit. Vitet e fundit, ata janë shtyrë në veri të Francës, prandaj numri i anijeve të vogla në të gjithë Kanalin u rrit që nga viti 2018. Megjithëse shqiptarët organizojnë rrjetet, zakonisht janë bandat kurde, siriane dhe marokene që janë të pranishme në plazhe.
Në një intervistë vitin e kaluar, Barr tha se ai e kishte vizituar Meksikën disa herë si Prokuror i Përgjithshëm, por gjeti se Andrés Manuel López Obrador ishte një president “i cili beson në përqafime, jo në plumba”. Rrjedhimisht, qeveria e kishte ‘humbur kontrollin e vendit’.
Europa nuk mund ta lejojë një situatë të ngjashme në Shqipëri. Dhjetorin e kaluar Rishi Sunak e takoi kryeministrin shqiptar Edi Rama në Londër. Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e kryeministrit britanik, u njoftua se të dy vendet do t’a forcojnë më tej ‘bashkëpunimin tonë të shkëlqyer operacional në zbatimin e ligjit, me objektivin e frenimit dhe ndërprerjes së migracionit të paligjshëm dhe depërtimit në rrjetet kriminale… duke përfshirë, por pa u kufizuar në, të dhëna efektive – ndarje dhe më shumë ekipe të përbashkëta operacionale’.
Shumica e detajeve të këtij bashkëpunimi operacional nuk do të zbulohen, por a mund të jetë e ngjashme me ndihmën që Britania i dha Kolumbisë në vitet 1990 për të luftuar atë që SHBA (që kontribuoi me 2 miliardë dollarë në ndihmë) e përshkruan si ‘narko- terroristët? Mbështetja britanike përfshinte trajnimin SAS të policisë narkotike të Kolumbisë dhe formimin e një qendre inteligjence dhe një komiteti të përbashkët të inteligjencës.
Nga 45,000 emigrantë që kaluan ilegalisht në Angli vitin e kaluar, 12,000 ishin shqiptarë. Nga ky numër, 10,000 ishin meshkuj të moshës nga 20 deri në 40 vjeç. Në vitin 2020, numri i shqiptarëve që erdhën me një varkë të vogël në Angli ishte 50. “Rritja ka qenë eksponenciale dhe mendojmë se kjo është kryesisht për faktin se Bandat kriminale shqiptare kanë fituar një bazë në veri të Francës”, pati deklaruar komandanti klandestin i kërcënimeve të kanalit, Dan O’Mahoney në muajin tetor.
Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) raportoi vitin e kaluar se mafia shqiptare në vitet e fundit ka ‘importuar ekspertizë të fituar nga ferma e kanabisit në shkallë industriale në vendin e tyre në Mbretërinë e Bashkuar’. Ata gjithashtu e kontrollojnë tregun e kokainës në Britani të Madhe.
BBC raportoi në nëntor se bandat shqiptare i përdorin kampet e emigrantëve rreth Calais ‘si një terren rekrutimi’; në këmbim të kalimit të migrantit përtej Kanalit, mafia organizon që ata të punojnë në industrinë e tyre në rritje të drogës dikur në Britani. Këto oferta shpesh bëhen me kërcënime ndaj migrantit apo familjes së tyre në Shqipëri./The Spectator
Përgatiti: Nuhi Shala