Si i kishte poentuar komisioni të sapoemëruarit e bordit të 'Trepçës'?

Qeveria e Kosovës ka emëruar bordin e ri mbikëqyrës të ndërmarrjes publike “Trepça” Sh.A. duke emëruar persona që nuk ishin më të poentuarit nga komisioni vlerësues.

Kryesues i bordit është emëruar Bahri Hyseni, ndërsa anëtarë të bordit janë emëruar: Ibrahim Krasniqi, Muharrem Peci, Bujar Bilalli dhe Xhevdet Tahiri.

Kandidatët e zgjedhur nuk ishin më të poentuarit në mesin e 19 kandidatëve që i kanë plotësuar kushtet përkatësisht kishin marrë mbi 50% të pikëve të mundshme dhe që komisioni vlerësues i ka rekomanduar Qeverisë për bordin e Trepçës.

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti e kishte emëruar Bahri Hysenin edhe në krye të bordit të përkohshëm të drejtorëve të “Trepça” më 21 maj 2021. Ai në bordin e “Trepçës” ishte emëruar pa konkurs.

Në konkursin e shpallur nga Zyra e Kryeministrit, Bahri Hyseni pas intervistimit kishte marrë 173 pikë ose 72% të pikëve. Kurse, anëtari i bordit Ibrahim Krasniqi kishte më shumë pikë, apo 186 pikë apo 78%. Edhe Muhamet Sadiku kishte arritur të grumbullonte 188 pikë. Sadiku edhe pse ishte kandidati më i poentuar nga komisioni vlerësues, ai nuk është zgjedhur fare në bordin e “Trepçës”.

Anëtari i tretë në bordin e Trepçës është zgjedhur Muharrem Peci, i cili kishte grumbulluar 142 pikë ose 59%. Peci ishte i nënti në listën prej 19 kandidatëve të rekomanduar për bord. Ai është zgjedhur në bord edhe pse kishte 6 kandidatë të tjerë që kishin pikë më shumë se ai.

Qeveria Kurti e ka zgjedhur në bordin e “Trepçës” Bujar Bilalli, i cili ishte i trembëdhjeti në listën e 19 kandidatëve të rekomanduar. Nëntë kandidatë të tjerë kishin marrë më shumë pikë se Bilalli, i cili kishte mbledh vetëm 138 pikë apo 58%.

Bujar Bilalli ka qenë pjesë e listës për asamble të komunës së Mitrovicës nga radhët e Vetëvendosjes në zgjedhjet lokale të viti 2013. Asokohe, ai më 81 vota nuk kishte arritur që të fitoj ulëse në asambles e Mitrovicës. Ligji për Ndërmarrjet Publike thotë që një anëtar i bordit nuk duhet të jetë në pozita udhëheqëse në parti apo të jetë kandidatë për asamble apo deputet në 36 muajt e fundit, por Bilalli i kontaktuar nga KALLXO.com ka thënë se nga ai kandidim nuk ka marrë më pjesë në asnjë aktivitet politkë.

“Po kam qenë pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje për asamble të Mitrovicës në vitin 2013, nuk kam çka me mohu, sepse janë dokumentet. Kjo ka qenë hera e parë dhe e fundit. Që atëherë nuk jam pjesë eas  aktiv në asnjë politikë. Jam kyç me punu për kompani ndërkombëtare. Nuk ka pas asnjë ndikim aktiviteti jem i atëherëshëm për emërim, e them me përgjegjësi të plotë”, u shpreh ai.

Anëtari i fundit që është zgjedhur në bordin e “Trepçës” është Xhevdet Tahiri, i cili ka marrë 132 pikë ose 55%.

Tahiri ishte kandidati i 15 në listën prej 19 kandidatëve që kishin marrë mbi 50% të pikëve. Ai është zgjedhur në bordin e Trepçës edhe pse kishte 10 kandidatë të tjerë që ishin poentuar më shumë por që nuk ishin zgjedhur në bord.

Ndaj vendimit të Qeverisë për emërimin e këtij bordi, kishte abstenuar ministri i Bujqësisë Faton Peci. KALLXO.com ka provuar sot që të marrë një koment nga ministri Peci për arsyet e abstenimit të tij.

BIRN e ka monitoruar procesin e konkursit të zgjedhjes për anëtar të bordit mbikëqyrës të “Trepça” Sh.A, të mbajtur në dy takime, tetor 2021 dhe janar 2022. Konkursi ishte shpallur më 22 maj 2021 dhe kishte qenë i hapur deri më 20 qershor 2021. Për këtë pozitë kanë aplikuar 57 kandidatë.

Komisioni vlerësues është udhëhequr nga Naim Bërdiqi, ndërsa anëtarë kanë qenë: Jeta Zagraxha, Fikrije Zymberi, Ferit Maliqi, Alban Nevzati dhe Hazir Çadraku.

Qeveria emëron Bordin mbikëqyrës të Trepçës