Si funksionoi “diplomacia më e madhe e pengjeve” pas Luftës së Ftohtë
“Kjo është një çështje që më së miri trajtohet në pa fjalë”.
Është fraza që e zgjedhin zyrtarët rusë kur pyeten për të komentuar këmbimin e mundshëm të të burgosurve ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Këto janë fjalë që janë dëgjuar për muaj me radhë.
Kështu edhe i pëlqen Kremlinit: arritja e ujdisë prapa dyerve të mbyllura, “diplomaci e pengjeve” larg syrit të mediave. Shërbimi inteligjent që flet me shërbimin inteligjent, qeveri me qeverinë, nis analizën televizioni britanik, BBC, për atë që e quan këmbimi më i madh i të burgosurve ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë prej kohës së përfundimit të Luftës së Ftohtë ndërmjet dy blloqeve të atëhershme.
Krejt bëhet derisa Moska të marrë çfarë – ose kë – e dëshiron.
Por pavarësisht “heshtjes”, kishte edhe sinjale. Diçka po lëvizte.
Paralajmërimi i tërthortë i Putinit
Në një intervistë me ish moderatorin e “Fox News”, Tucker Carlson, në hskurt, Vladimir Putini foli edhe për Evan Gershkovichin, reporterin e “Wall Street Journalit”, i cili ishte arrestuar në Rusi dhe akuzohej për spiunazh.
“Nuk e përjashtoj mundësinë që z.Gershkovich të ketë mundësinë të kthehet në vendlindjen e tij”, deklaronte Putini. “Ne duam që shërbimet speciale amerikane të mendojnë se si mund t’i kontribuojnë arritjes së qëllimeve që shërbimet tona speciale po i synojnë”.
Ishte një shenjë e dukshme publike dhe jofort e zakonshme: Moska ishte e hapur për ujdi.
Lideri i Kremlini nuk përmendi emra. Por e bëri të qartë se kë e donte Rusia në këmbim: Vadim Krasikovin, agjentin e dyshuar rus që po vuan një dënim të përjetshëm për vrasje – jo në Amerikë, por në Gjermani.
Disa ditë më vonë, lideri opozitar rus, Alexei Navalny, vdiq në një burg të largët në Arktik. Qarkulluan fjalë se para vdekjes së tij, po zhvilloheshin bisedime për shkëmbimin e Navalnyt, Evan Gershkovichit dhe veteranit të marinës amerikane, Paul Whelan, të gjithë të burgosur në Rusi, për Vladimir Krasikovin në Gjermani.
A kanë hyrë edhe autoritetet gjermane në negociata për këmbimin e të burgosurve?
Pak para qershorit, gjykimi me dyert të mbyllura i Evan Gershkovichit – i konsideruar nga “Wall Street Journal” dhe qeveria amerikane si “montim” – më në fund nisi në Yekaterinburg. Rasti y shty shpejt për mesgusht.
Por muajin e kaluar, gjykata vendosi papritur ta mbante seancën e dytë më shumë se tri javë para gjykimit të planifikuar. Në fund të një procesi të shpejtë prej tri ditësh, Evan Gershekovich u gjykua dhe u dënua me 16 vjet burgim.
Po atë ditë, gazetarja ruso-amerikane, Alsu Kurmasheva, u dënua me gjashtë vjet e gjysmë burgim nga një gjykatë e Kazanit. Gjykimi i saj zgjati vetëm dy ditë.
Kujt po i ngutej?
Qartazi se dikujt po i ngutej, vlerëson BBC-ja teksa analizon kronologjinë e proceseve të fundit gjyqësore në Rusi. Ishte shenja më e fuqishme se një ujdi ishte arritur, dhe se me gjasë këmbimi do të kryhej. Autoritetet ruse normalisht e trajtojnë dënimin si parakusht për çfarë këmbimi të të burgosurish.
Në fillim të javës – pati më shumë shenja, me raporte mediatike që pretendonin se një mori të burgosurish të njohur politikë rusë u zhvendosën prej burgjeve ose qendrave të tyre të burgimit.
U rritën edhe spekulimet. A mos ishin këta disidentë pjesë e një këmbimi më të madh të të burgosurve sesa ishte menduar fillimisht?
Lajmi u dha në Bjellorusi: lideri i vendit, Alexander Lukashenko, ishte pajtuar ta falte Rico Kriegerin, shtetasin gjerman të dënuar me vdekje për terrorizëm dhe akuza tjera. A mund të jetë edhe pjesë e këmbimit?
Tani e dimë. Ky është këmbimi më i madh i të burgosurve ndërmjet ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit prej kohës së Luftës së Ftohtë.
Qeveritë perëndimore do të mirëpresin lirimin e të huajve, si dhe lirinë për disa prej të burgosurve politikëmë të njohur të Rusisë.
Moska do t’i gëzohet kthimit të agjentëve të saj. Dy palët do ta lartësojnë marrëveshjen si të mirë.
Por nëse Rusia nxjerr përfundimin e saj, qysh ka bërë në të kaluarën, se “diplomacia e pengjeve” funksionon, atëherë me të drejtë me shqetësim, kjo nuk do të jetë e fundit herë që të burgosurit – të huaj dhe rusë – përdoren si qindarka kusuresh, shkruan BBC./BBC
Përgatiti: Rexhep Maloku – KALLXO.com