Si është situata aktuale në Siri pas tërmetit vdekjeprurës atje?

Deri më tani, më shumë se 21,000 njerëz kanë vdekur në Turqi dhe Siri pas tërmetit me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter që goditi të hënën këto dy vende dhe punonjësit e shpëtimit tani po garojnë me kohën për t’i tërhequr të mbijetuarit nga rrënojat e ndërtesave të shembura në kushte të ftohta dimri.

Mirëpo vitet me konflikte dhe një krizë akute humanitare nënkuptojnë se ka vështirësi shtesë për t’i ndihmuar të mbijetuarit në Siri, atje ku ndihma ndërkombëtare ka qenë e ngadaltë për të arritur.

Situata në Siri është krejtësisht e ndryshme nga Turqia, ku dhjetëra shtete dhe organizata ndërkombëtare kanë ofruar ekipe shpëtimi, donacione dhe ndihma.

U desh të pritej deri ditën e enjte që kolona e parë e ndihmave të Kombeve të Bashkuara të kalonte nga Turqia në Sirinë veriperëndimore.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare ka deklaruar se karvani i së enjtes, i përbërë nga gjashtë kamionë që transportonin sende strehimi dhe jo ushqimore, kaloi përmes vendkalimit Bab al-Hawa – i vetmi korridor i ndihmës humanitare midis Turqisë dhe Sirisë.

Dorëzimi i furnizimeve urgjente në zonat e goditura nga tërmeti në veri të Sirisë është ndërlikuar nga një luftë civile e tejzgjatur midis forcave opozitare dhe qeverisë siriane, të udhëhequr nga presidenti Bashar al-Assad, i cili akuzohet për vrasje të popullit të tij.

Ministri i Jashtëm sirian Faisal Mekdad thotë se çdo ndihmë që vjen në Siri duhet të kalojë përmes kryeqytetit Damask. “Shteti sirian është i gatshëm t’i lejojë ndihmat të hyjnë në të gjitha rajonet, me kusht që të mos arrijnë tek grupet e armatosura terroriste”, tha ai.

Kjo i lë zonat e kontrolluara nga rebelët të varen nga grupet e shumta që ofrojnë ndihmë, përfshirë OKB-në.

Miliona sirianë që jetonin në zonat e kontrolluara nga rebelët në Sirinë veriore ishin duke vuajtur nga efektet e varfërisë ekstreme dhe një shpërthim kolere kur ndodhi tërmeti. Tani shumë prej tyre po kujdesen për veten e tyre.

Numri i sirianëve që kishin nevojë për ndihmë humanitare para tërmetit ishte 15.3 milionë – por ky numër tani do të duhet të rishikohet, ka deklaruar Koordinatori i Përhershëm i OKB-së për Sirinë, El-Mostafa Benlamlih.

Vetëm në Aleppo, 100,000 njerëz besohet të jenë të pastrehë, me 30,000 prej këtij numri aktualisht të strehuar në shkolla dhe xhami.

“Këta që janë strehuar janë me fat”, thotë Benlamlih. 70,000 sirianë tjerë të mbetur “përballen me borën, kanë të ftohtë dhe po jetojnë në një situatë të tmerrshme”, shtoi ai.

Shkalla e sfidës përforcohet nga fakti se zonat e prekura si në Turqi ashtu edhe në Siri po përballen me temperatura më të ftohta se normalja. Për shembull, qyteti sirian i Alepos parashikohet të ketë temperatura të ulëta prej -3°C deri në -2°C gjatë kësaj fundjave, ndërsa temperaturat më të ulëta të shkurtit janë normalisht 2.5°C./CNN