Si është Prishtina për personat e verbër?

Ka gati 3 vjet që Halil Kurmehaj, punon në zyrën ligjore të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve. Çdo ditë ai shkon në punë herë me taksi, herë i shoqëruar nga dikush tjetër, e herë, kur rrethanat ia shtojnë mundin, nuk shkon fare.

Halili ka të pamur të kufizuar në shkallë të lartë. Ai humbi shikimin në fëmijëri dhe që atëherë është munduar ta ndërtojë jetën në një vend që nuk ua ofron mundësitë e barabarta të gjithëve. Halili kreu studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe tashmë punon në profesionin e tij si zyrtar ligjor, mirëpo jo tërësisht pa sfida.

“Zyrari ligjor”, thotë Halili, “ndër të tjera merrem kryesisht me interpretimin e ligjeve, draftimin dhe hartimin e legjislacioneve dhe dhënien e opinioneve ligjore”. Të gjitha këto aktivitete kërkojnë shumë përgatitje dhe lexim të vazhdueshëm, sidomos të dokumenteve e rregulloreve.

Për ta kryer punën e tij, Halili përdor aplikacione kompjuterike, të cilat i lexojnë tekstet për të dhe ia lejojnë që të bëjë ndryshime e t’i shtojë mendimet e veta. Aplikacionet për ‘screen reading’ janë mënyra e vetme në të cilën Halili mund ta kryejë punën e tij, meqë ka shumë pak shkrime, e aq më pak dokumente, të shtypura në alfabetin Braille.

“Nëpër rregullore dhe dokumente që vijnë të skenuara të shkruara në tri kolona: shqip, anglisht, dhe serbisht… kur e hap dokumentin edhe e lexon Nenin 2, të themi, duhet me e lexu njëherë shqip, pastaj serbisht e kështu për me dalë te Neni 3”, tregon Halili, duke shpjeguar se kjo e ngadalëson procesin e punës në krahasim me kolegët të cilët kanë qasje më të shpejtë në dokumente.

“Kur shtypet një dokument në Braille, është shumë më lehtë me punu, me qenë pedant edhe efikas në punën që e bën. Në këtë mënyrë mund të jesh i barabartë me kolegët në nivelin e shpejtësisë dhe efikasitetit, edhe je ma i sigurt në punën që e bën për dallim prej punës që bëhet me ‘screen reader’”.

Njejtë si në vendin e punës Halili, edhe gjatë studimeve themelore, e ka përdorur këtë mënyrë për të lexuar. Tekstet që kolegët e tij studentë i kanë blerë si kopje fizike, ai i ka skenuar dhe i ka dëgjuar të lexohen nga zëri dhe shqiptimi robotik i aplikacioneve.

“A të len pasoja në aspektin profesional kjo puna e skenimit të librave? Po, pa dyshim që po”, thotë Halili. “Për shembull, nuk je shumë i mirë në shqiptimin e disa termeve profesionale. Mirëpo, përmes kësaj mënyre kam qenë në gjendje të kujdesem vetë, pra pa e angazhu ndonjë shok apo familjar”, shton ai.

Librat në Braille

Një prej problemeve që Halili i identifikon si të zgjidhshëm, por të anashkaluar, është shtypja e teksteve në alfabetin Braille. Ai shpjegon se qasja në tekste të tilla, e lehtëson jo vetëm punën, por edhe zhvillimin profesional dhe personal.

“Kur lexon në Braille, njëjtë si ju kur lexoni me sy, ta mundëson me u pasuru me shprehje po në të njëjtën kohë, të ndihmon me përdorë pikësimin. Kur dëgjon [libra të inçizuar] nuk të tregon se ku po fillojnë thonjëzat ose ku ka presje… Unë ka kohë që s’kom lexu në Braille, vite ndoshta, por është njëfarë kënaqësie kur lexon me të. Ta jep ndjenjën që po lexon libër”.

E vetmja bibliotekë që mban libra në formatet që janë të përshtatshme për personat e verbër ose ata me të pamur të dëmtuar është biblioteka “Syri ynë” në rrugën “Nazim Gafurri” në Prishtinë. Sipas stafit të bibliotekës, megjithëse anëtarësimi në bibliotekë është falas dhe shumë lehtë i realizueshëm, aty janë të regjistruar vetëm rreth 100 lexues nga të gjithë Kosova.

Në bibliotekë ofrohen 477 tituj të shtypur në Braille, prej të cilëve janë gjithsej 5,000 ekzemplarë; mbi 800 tituj ofrohen në formatin audio; si libra elektronikë në formatin Word ofrohen mbi 1000 tituj dhe si libra standardë ofrohen 611 tituj me gjithsej 700 ekzemplarë. Këta libra janë kryesisht vepra letrare (romane, tregime, poezi dhe shumë pak drama) ndërsa një pjesë e vogël janë fjalorë, biografi ose libra teologjikë.

Ndërkohë, në Bibliotekën Kombëtare gjendet edhe këndi për të verbër, i cili, sipas Halilit, duke e pasur synim përfshirjen e këtij grupi të lexuesve në këtë hapësirë, e ka krijuar edhe një ndarje shtesë.

Në këndin për të verbërit janë të regjistruar rreth 50 lexues të cilët mund t’i huazojnë materialet e këndit brenda dhe jashtë ambientit të tij. Këto materiale përfshijnë 45 tituj të shtypur në Braille, dhe disa tituj në formatin audio dhe Word, kryesisht të fushave shkencore dhe letërsi.

Halili tregon se kanë bërë kërkesa nëpër institucione për sigurimin e makinerive ‘Braille display’, të cilat do të përdoreshin nga komuniteti për shtypjen e teksteve shkollore dhe profesionale, mirëpo kërkesat e tyre nuk janë plotësuar ende. Megjithëse ka organizata të ndryshme joqeveritare që ndonjëherë merren me shtypjen e këtyre librave, Halili thotë që mungon mbështetja institucionale edhe pse nuk do të kushtonte as financiarisht as në përpjekje.

Punësimi

Përveç sfidave që përgjithësisht personat me nevoja të veçanta i hasin në jetën e përditshme, për shkak të papërshtatshmërisë së shoqërisë, ata ballafaqohen me sfida të tjera kur mendojnë të kërkojnë çfarë u duhet.

Halili e quan veten guximtar, për shkak se gjithmonë i ka kërkuar dhe vazhdon t’i kërkojë gjërat që i duhen nëpër ambientet ku ato nuk i ofrohen paraprakisht. Por ai gjithashtu e pranon që të njëjtën gjë nuk e bëjnë të gjithë.

“Sfida ma e madhe për grupet e personave me nevoja të veçanta”, thotë Halili, “është që nuk i kërkojnë, edhe nuk i kanë, gjanat që u duhen…Nuk e di pse nuk kërkojnë; ndoshta e kanë prej frikës që mund të largohen prej punës edhe ndoshta e kanë frikën që paragjykohen ose që kërkesat nuk u plotësohen. Unë personalisht nuk e kam këtë ngarkesë”.

Punësimi i personave me nevoja të veçanta, e veçanërisht i personave me të shikim të dëmtuar ose të verbër, është ende një problem kyç në shoqërinë kosovare. Sipas të dhënave nga Ministria e Punëve të Brendshme, të siguruara nga KALLXO.com përmes Zyrës së Kryeministrit, në të gjitha institucionet qendrore publike, janë të punësuar 55 gra e burra me nevoja të veçanta, e prej tyre një numër shumë i vogël janë me të pamur të dëmtuar apo të verbër.

Sipas të dhënave nga Shoqata e të Verbërve të Kosovës, janë të regjistruar 2,000 persona me status të të verbërve. Ndërkaq prej tyre vetëm 2%, apo vetëm 40 persona, janë të punësuar në të dy sektorët, publik dhe privat.

Një kërkesë që Halili e bën vazhdimisht në vendin e tij të punës, në Ministrinë e Financave, është që ashensori të bëhet më i qasshëm për të: Të jetë akustik ose numrat të jenë të shënuar edhe në Braille.

“Unë hip këtu në ashensor e nuk e di se në cilin kat po shkoj; ndoshta mendoj që jam në katin e 13-të mirëpo jam në të 8-tin…Kur du me dalë në pauzë ose me e taku dikë poshtë, më duhet me i kërku dikujt prej kolegëve me më ndihmu, edhe duhet me u siguru mirë kujt po i kërkoj; duhet dikush që nuk përton”.

Foto: Kallxo.com

Lëvizja nëpër qytet dhe transporti

Prej gjërave të tjera në shoqëri dhe në qytet që mund të rregullohen por përsëri mbesin të papërshtatshme janë transporti, urban e ndërurban dhe rrugët.

Njësoj si për semaforët, zërimi nuk aplikohet edhe në mjetet transportuese që mund t’i përdorin në verbërit.

“Transporti [publik] mundet me u bo me zë. S’e kanë bo kurrë edhe pse kemi kërku”, thotë Halili për autobusët e Trafikut Urban në Prishtinë.

Nga ndërmarrja “Trafiku Urban” janë arsyetuar se stafi brenda autobusëve, është në çdo kohë i gatshëm t’i ndihmojë personat që kanë vështirësi në përdorimin e tyre, mirëpo ende nuk janë marrë hapa për ta përmirësuar gjendjen.

Në anën tjetër, si zgjidhje e përkohshme për lehtësimin e identifikimit të autobusëve nga personat me të pamur të dëmtuar, ishte gjetur shënjimi i tyre me ngjyra kontraste. Halili tregon se autobusët ishin shenjëzuar në këtë mënyrë, pas kërkesës së OJQ-ve të personave të verbër, mirëpo këto shenja nuk qëndruan aty gjatë. Me arsyetimin se shenjat e dëmtonin pamjen “moderne” të autobusëve, këto shenja u larguan.

Muajve të fundit në Prishtinë kanë filluar të vendosen pritoret digjitale të autobusëve të cilat supozohet se do ta bëjnë më të lehtë instalimin e sistemeve akustike që thërrasin emrin e secilit stacion dhe autobus që kalon pranë. Trafiku Urban njofton se për këtë çështje, janë ende në bisedime me Komunën e Prishtinës, dhe në këto bisedime janë të përfshirë edhe dy punëtorë të kësaj ndërmarrjeje të cilët kanë të pamur të dëmtuar pjesërisht dhe plotësisht, e që e përfaqësojnë zërin e këtij grupi të personave. Sidoqoftë, këto pritore nuk janë vendosur ende nëpër të gjitha stacionet, dhe as janë funksionalizuar për atë që janë projektuar.

Për më tepër, në Trafikun Urban thonë se po mendojnë edhe për personat me dëgjim të dëmtuar dhe shurdhmemecët. Brenda autobusëve lokalë të Prishtinës, po mendohet të vendosen monitorë të cilët tregojnë rendin e pritoreve të autobusëve në mënyrë lineare në çdo kohë në mënyrë që t’u lehtësohet orientimi këtyre personave. Deri më tash, ndërmarrja nuk ka bërë të ditur asnjë afat kohor, se kur mund të realizohen këto projekte.

Gjendja më e rënduar është në rastin e trafikut ndërurban. Sipas Halilit, 90% të autobusëve, pas inspektimit të tyre me insistimin e OJQ-ve të personave të verbër, kanë dalë të jenë të papërshtatshëm jo vetëm për personat e verbër por edhe ata me nevoja të veçanta të llojeve të tjera. Autobusëve ndërurban u mungojnë pjerrinat që do t’ua mundësonin hyrjen përdoruesve të karrocës, u mungon hapësira e nevojshme mes dy rendeve të ulëseve për të lëvizur karroca, u mungon shërbimi akustik si dhe shenjëzimet për personat me të pamur të dobësuar.

Sfidë për lëvizje të pavarur personave të verbër dhe atyre me të pamur të dobësuar, përveç transportit publik u shkakton edhe gjendja e trotuareve nëpër qytet. Në tërësi, në komunën e Prishtinës janë vetëm 3,980 metra trotuare të cilët kanë shirit taktil, për t’ua lehtësuar orientimin këtij grupi.

Këto trotuare gjenden kryesisht përgjatë rrugëve kryesore të Unazës Qendrore në Prishtinë. Sidoqoftë, edhe shiritat taktilë ekzistues, nuk janë në gjendjen ideale. Nëpër shumë prej tyre, pjesët taktile janë rrafshuar për shkak të shtypjes së shpeshtë nga makinat që parkohen në trotuare, e gjithashtu shpesh janë të bllokuara nga po ato makina.

Foto: Kallxo.com

Sipas Drejtorisë së Investimeve Kapitale në Prishtinë, të gjitha trotuaret që planifikohen të rikonstruktohen në të ardhmen, do të pajisen me shirita taktilë dhe brenda dy vjetëve të ardhshme pritet që zona qendër në Prishtinë, t’ua mundësojë të verbërve dhe atyre me dëmtim në të pamur lëvizjen e pavarur.

Qëllimi i Drejtorisë së Investimeve Kapitale është edhe një prej kërkesave më të shpeshta të personave me nevoja të veçanta, mirëpo, siç shprehet Halili i cili përfaqëson edhe interesat e këtij grupi, ato jo gjithmonë realizohen, dhe kjo është arsyeja prapa shumë pengesave që ata hasin në përditshmëri.

“Ne dhe ju”

Përkundër gjithçkaje që bëhet për krijimin e kushteve në Kosovë që personat e verbër dhe ata me të pamur të dëmtuar që ta kenë një përditshmëri të pavarur gjatë jetës së tyre, duke filluar nga gjërat e thjeshta rutinore të mëngjesit, te lëvizja në qytet, te punësimi, e deri te kalimi i kohës së lirë, çdo person i verbër ka një mision personal për ta përmirësuar një pengesë për të tjerët që do të vijnë pas tyre.

Halili, për të përmbledhur ato që u shtjelluan, theksoi ndasinë në shoqërinë tonë “Ne [të verbërit] dhe ju [që shihni]”, gjë që për këtë grup personash, theksohet çdo ditë në situata të përditshme.

“Ne dhe ju” është ndasia që e bën të ardhmen e shoqërisë sonë të paparashikueshme, një të ardhme që nuk shihet.