Si është gjendja e punimeve që i promovoi në rrjete sociale Kadri Rahimaj?

Në debatin “Jeta në Komunë” shfaqen edhe postimet e kryetarëve të komunave që i kanë publikuar në rrjetet sociale, në të cilat i promovojnë projektet që i kanë realizuar ose janë duke i realizuar gjatë mandatit të tyre.

E hulumtuesit e KALLXO.com i verifikojnë në terren punimet që kryetarët i promovojnë në rrjetet sociale. 

Në lidhje me punimet që kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, i ka promovuar në profilin e tij në Facebook, KALLXO.com ka gjetur se në muajin qershor të vitit 2024 ai i kishte promovuar punimet për kolektorin e ujërave të zeza në fshatin Koretin, të cilat, sipas tij, do të përfundonin brenda dy javësh.

Në muajin tetor, Komuna e Kamenicës konfirmoi për KALLXO.com se kolektori i ujërave të zeza, të cilin Rahimaj e kishte promovuar, nuk është përfunduar në tërësi.

Arsim Thaçi, banor i Koretinit, tha se kanë punuar në një pjesë të kolektorit, por një pjesë e madhe e këtij kolektori është bllokuar nga zhavorri dhe rëra e futur qysh para katër vitesh.

“Duket që nuk ka përfundu, i kemi dy dalje atje, tri dalje ose dy dalje i kemi afër shkollës – rrugën kryesore të fshatit, rrugën “Shqiptaria”, ku kundërmimi dhe epidemitë e gripi tash përhapen me të madhe. Komplet ujërat e zeza të qytetit të Dardanës, të fshatit Berivojcë e të lokalitetit tonë derdhen këtu” – ka thënë Thaçi.

Edhe pse nuk i përfundoi punimet për kolektorin e ujërave të zeza në Koretin ashtu siç kishte promovuar, Rahimaj nuk është se e ka edituar deri më tani këtë postim promovues në profilin e tij në Facebook, ndonëse ai tha gjatë debatit se do ta editonte.

“Ne jemi detyru që me organet e rendit të shkojmë edhe të intervenojmë për sanimin e komplet rrjetit të kanalizimit edhe të kolektorit në fshatin Koretin… Kanë mbetë më pak se 200 metra kolektor pa përfundu” – ka thënë Rahimaj.

Në vitin 2023, Rahimaj promovoi në Facebook investimet në Ambulancën e Topanicës. Aty ai tregonte që gjendja ishte e keqe në Ambulancë dhe promovonte se puna do të niste shumë shpejt.

Një vit pas promovimit në Facebook, ekipi i KALLXO.com ka parë në terren se Ambulanca është jashtë funksionit, ka dëmtime jashtë saj dhe tabela e Ambulancës e cila ishte dashur të vendosej në objekt nuk ishte në vend.

Aliriza Morina, banor i fshatit Topanicë, tha për KALLXO.com se ka dy vjet që Ambulanca nuk është duke punuar.

“Përpara ka ardhë mjeku dy herë në javë, motrat rregullisht kanë nejtë për injeksione… E tash, qe dy vjet, e ka rregullu, e kanë izolu, i kanë me dritare me krejt i kanë ndërru, nuk janë duke punu kurrgjë. E tash, për një injeksion duhet me shku në Kamenicë p.sh. me marrë” – ka thënë Morina.

Brenda tri vitesh, Rahimaj tha se i kanë rekrutuar 12 mjekë, ndërsa Ambulanca në Topanicë do të hapet kur të kryhet procesi i ndarjes nga mjekësia familjare tek urgjenca, pasi ai mendon se do t’iu mundësojë përfitim të stafit mjekësor.  

Rahimaj kishte publikuar tri postime në Facebook, në të cilat promovonte investimet e Ambasadës amerikane në shkollën “Skënderbeu” në Hogosht.

Pesë muaj më vonë, brenda shkollës janë shënuar problemet e para. Radiatorët kanë pikuar dhe në guacat e tualetit uji rrjedh pa ndërprerë. Jashtë shkollës edhe pse është ndërtuar pjerrina, ajo është e paqasshme, sepse është bllokuar nga materialet që kanë mbetur nga ndërtimi.

“Qasja mundem lirisht me thanë që është diku mbi 95%, eventualisht në një pjesë ku është një zgjidhje që do të bëhet shumë shpejt. Pjesët tjera kanë, është qasje e mjaftueshme” – ka thënë drejtori i shkollës, Arsim Gruda.

www.kallxo.com