Ilustrim

Si e vodhën hajnat arin në një shtëpi në Dragash?

Dy persona janë dënuar me nga një vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prizrenit, pasi u vërtetua se të njejtit kishin vjedhur në vitin 2020 ari dhe gjësende të tjera, në një shtëpi në një fshat të Dragashit.

Sipas Aktgjykimit të Gjykatës, me datë 15 mars 2020, rreth orës 24:00, dy personat tashmë të dënuar, kanë depërtuar me forcë në hapësirat e mbyllura të shtëpisë, me qëllim të vjedhjes së pasurisë së luajtshme.

Në momentin kur ka ndodhur vjedhja, pronari i shtëpisë nuk ka qenë aty, ndërsa dy personat me një mjet të përshtatshem kanë hapur dritaren e katit përdhesë, duke hyrë brenda shtëpisë.

Tutje, të njëjtit janë futur nëpër dhomat e shtëpisë duke marrur aty stoli të ndryshme të arit si: rrathë dhe pllaka të arit të personalizuara me shkronja.

Gjithashtu, të dënuarit kanë marrë edhe artikuj të ndryshëm ushqimorë, si mish, shamponë dhe sheqer.

I akuzuari i parë me inicialet E. A., është dënuar me burgim prej 1 viti, të cilin do ta vuaj pas plotëfuqishmërisë së aktgjykimit; dënim me gjobë 500 euro të cilën duhet ta pagaujë brenda 15 ditëve.

Edhe i akuzuari tjetër me inicialet S. Gj., është dënuar njejtë sikur i akuzuari i parë.

Të dënuarit, pranë Gjykatës e kanë pranuar vullnetarisht fajësinë, ndërsa kanë premtuar se nuk do të kryejnë më vepra penale në të ardhmen, për çka këto fakte Gjykata i ka marrë si rrethana lehtësuese për të akuzuarit.

Të dënuarit, kanë të drejtë që brenda 15 ditëve, në lidhje me Aktgjykimin, të ushtrojnë ankesë në Gjykaten e Apelit.