Foto: BBC
Si e pa bota debatin Harris-Trump?
Debati i parë ndërmjet Kamala Harrisit dhe Donald Trumpit u përcoll me sytë katër jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por anembanë botës.
Debati në Filadelfia pati disa përplasje të forta për politikën e jashtme ndërmjet dy kandidatëve për president. Prej Pekinit deri në Budapest, ja sesi u përcoll debati, sipas korrespodentëve të jashtëm të BBC-së.
Kremlini mban shënime kur përmendet Putini!
Harris i tha Trumpit se presidenti rus, Vladimir Putin është “një diktator që do të hante ty për drekë”
Shprehja “ta hash dikë për drekë” nuk ekziston në frazeologjinë ruse. Por çfarë mund të shihni në Moskë është apetiti për një rezultat zgjedhor të presidencialeve amerikane që do t’i shkonte për shtat Rusisë.
Kremlini mund ta ketë shikuar me kënaqësi sesi në debat, Trumpi i bishtnoi pyetjes nëse ai dëshiron që Ukraina ta fitojë luftën.
“Unë dua që lufta të ndalet”, deklaroi ai.
Krejt ndryshe, Harris foli për “mbrojtjen e drejtë” të Ukrainës dhe akuzoi Putinin se “ia ka vënë syrin edhe pjesës tjetër të Europës”.
Kremlini pretendon se emri i Putinit është përdorur për hesape të brendshme zgjedhore në Shtetet e Bashkuara.
“Emri i Putini përdoret si një prej instrumenteve për betejën e brendshme në SHBA”, ka deklaruar zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Putini ka thënë javën e kaluar se mbështet Harrisin dhe ka lavdëruar atë për “qeshjen infektuese”.
Komentet e Trumpit shqetësojnë Ukrainën
Dështimi i Trumpit lidhur me luftën në Ukrainë mund të mos i ketë njerëzit, por ngrit shqetësimin e tyre se çfarë do të sillte kthimi i Trumpit në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Trumpi kaherë ka thënë se do ta ndalte luftën brenda 24 orësh, që për shumë ukrainas do të nënkuptonte ndarjen e një hise të madhe të territorit në favor të Rusisë, e cila i ka marrë në kontroll gjatë dy vjet e gjysmë lufte.
Harris ka thënë se nëse “Donald Trumpi do të ishte president, Putini do të ishte ulur në Kiev tani”.
Presidenti Volodymyr Zelensky është munduar të tregohej i matur, por kur është pyetur për sfidat që do të vinin me Trumpin president, ka thënë se “do të na kërkohej punë e madhe, por ne jemi punëtorë të mëdhenj”.
Përplasja për tërheqjen e demokratëve nga Afganistani
Trumpi i ka akuzuar demokratët e Harrisit për dështim pas tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani në gushtin e vitit 2021 me vendim të presidentit Joe Biden. Trumpi e ka pyetur Harrisit se “a mban përgjegjësi për mënyrën e kryerjes së tërheqjes?”
Ajo ka thënë se ishte pajtuar plotësisht me presidentin Biden. Trumpi tha se ai kishte folur “sertë” me “Abdulin, drejtuesin e talibanëve”, i cili “ende është drejtues i talibanëve”.
Ai duket se i referohej Abdul Ghani Baradarit, i cili kishte nënshkruar marrëveshjen e tërheqjes me amerikanët, por asnjëherë nuk e kishte udhëhequr lëvizjen talibane, si dhe është lënë anash prej ardhje së talibanëve në pushtet.
Administrata e Trumpit e kishte negociuar ujdinë e tërheqjes. Trumpi e ka mbrojtur marrëveshjen duke thënë se “ne po largoheshim”.
Secila palë mundohej t’i shmangej përgjegjësisë së saj, por në të vërtetë dy palët janë fajtore për tërheqjen katastrofale.
Harris, “e panjohur” për Pekinin
Harris ende konsiderohet e panjohur në aspektin e qëndrimeve të saj për shumë liderë, dhe kështu shihet prej shumë prej tyre edhe pas debatit.
Ajo nuk është se ka ndonjë sfond qëndrimesh për Kinën dhe kështu reflektoi edhe në debatin e parë presidencial, duke përsëritur shprehjen që e kanë thënë edhe liderë të tjerë amerikanë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta fitojë garën me Kinën në shekullin 21.
BBC-ja vlerëson se zëvendëspresidentja përfaqëson paqartësi në Pekin – dhe kjo fare nuk u pëlqen kinezëve. Kjo është arsyeja se pse presidenti Xi përdori së fundmi një vizitë të zyrtarëve amerikanë për të bërë thirrje për “stabilitet” ndërmjet dy superfuqive, mbase një mesazh për zëvendëspresidenten aktuale. Sa për Trumpin, liderët kinezë e dinë kaherë se përfaqëson diçka që nuk e pëlqejnë edhe më fort – paparashikueshmërinë.
Lindja Mesme me sytë katër kah Shtëpia e Bardhë
Dy kandidatët nuk është patën ndonjë ndryshim të theksuar të qëndrimeve të tyre të mëparshme kundrejt zhvillimeve në Lindjen e Mesme, megjithëse Trumpi e teproi kur tha se nëse rivalja e tij do të zgjidhej presidente, Izraeli nuk do të ekzistonte brenda dy vjetësh, shkruan BBC.
Por debati në Lindje të Mesme është përcjellë fort. Disa kritikë të kryeministrit Benjamin Netanyahu vlerësojnë se ai me qëllim po e zvarrit gjetjen e ndonjë zgjedhjeje për luftën në Gazë me shpresë se do të fitojë Trumpi, që mund të jetë më mbështetës për Izraelin krahasuar me Harrisin. Harrisi ka paralajmëruar se mund të jetë më e sertë se Bideni në raport me Izraelin.
Palestinezët, të cilët kanë shumë dyshime për Trumpin dhe janë të zhgënjyer me paaftësinë e administratës së Bidenit, mendojnë se Harrisi mbase mund të jetë një e keqe më e vogël se dy tjera. Ata kaherë i kanë çuar duart prej shpresës se SHBA-ja mund të jetë një ndërmjetësuese e drejt në Lindje të Mesme, por me siguri se e kanë spikatur se ndryshe nga Trumpi, Harrisi ka shprehur mbështetjen për një shtet palestinez.
Trumpi e ngrit në qiell Orbanin
Donald Trumpi e ka ngritur në qiell kryeministrin hungarez.
“Viktor Orbani, një prej burrave më të respektuar, thonë se është burrë i fortë. Ai është karakter i fortë. I zgjuar…”
Mediat hungareze pro-qeveritare e kanë marrë këtë si kompliment. “Njohje e madhe!” – shkruante në ballinën e “Magyar Nemzet”.
Por portali kritik ndaj qeverisë 444 e ka cituar Tim Walzin, bashkëgaruesin e Harrisit, të ketë thënë se “Atij(Trumpit) iu kërkua të thoshte emrin e një prej liderëve që është me të, dhe ai tha Orbani. O Zot i Madh. Kjo është krejt çfarë duhej të dimë”.
Orbani e kishte mbështetur Trumpin në zgjedhjet e vitit 2016, sikur se po e bën edhe tani për zgjedhjet e nëntorit. Ata janë takuar për herë të dytë sivjet në shtëpinë e Trumpit në Floridë më 12 korrik pasi Orbani vizitoi Kievin, Moskën dhe Pekinin. Orbani, si Trumpi, mbështet përfundimin e luftës në Ukrainë.
“Gjërat kanë ndryshuar. Nëse kthehet Trumpi, do të ketë paqe. Do të jetësohet prej tij pa evropianët”, ka thënë Balazs Orban, drejtori politik i kabinetit të kryeministrit Orban.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com