Si e mori ish-shefi i AUV-it licencën që të kryejë privatisht një punë që do të duhej ta kryente fabrika e përpunimit të mbetjeve shtazore?

Drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AUV), Flamur Kadriu, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për licencën që i është dhënë një kompanie private për përpunimin e mbetjeve shtazore, ndërsa ka disa vite që fabrika publike e planifikuar për këtë punë nuk po arrin të funksionalizohet.

Sipas të dhënave në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), del që Valdet Gjinovci, ish-drejtor i AUV është bashkëpronar i kompanisë INCA, kompani private që bën përpunimin e mbetjeve shtazore.

Lidhur me këtë, drejtori aktual i AUV, Flamur Kadriu, ka thënë kjo kompani e ka marrë licencën në AUV para se Gjinovci të ishte bashkëpronar.

Ai ka thënë se kjo licencë është lëshuar nga ish-kryeshefi i AUV-it, Naser Krasniqi.

“E njëjta kompani ka marrë licencë prej neve para se me qenë bashkëpronar Valdet Gjinovci, kur ka qenë zëvendësues i kryeshefit që ka qenë para meje, Naser Krasniqi. Regjistrimin e operatorëve nuk e bën kryeshefi se vazhdimin e lejes e kam nënshkru unë, ne kemi komisionet që bëjnë aprovimin e kompanive”- ka thënë ai.

Ai ka thënë se kjo kompani fillimisht ka marrë lejen e përkohshme e më pas i është vazhduar licenca.

“Licencën e ka marrë Valdeti kur nuk ka qenë kryeshef, dhe në licencën e përkohshme nuk figuron që ka qenë bashkëpronar. Dhe vazhdimin e saj është komisoni që e vlerëson, pra vazhdimin e licencës” – ka shtuar ai.

Lidhur me dhënien e lejes së kësaj kompanie, “Kallxo Përnime”, ka kontaktuar Naser Krasniqin, ish-kryeshefin e AUV-it në atë kohë.

Lidhur me lejen që ai i ka dhënë kompanisë private për të bërë mbledhjen e mbetjeve shtazore, punë që është dashur ta kryente fabrika shtetërore, Krasniqi tha që ai nuk ka kontakte me Valdet Gjinovcin, ish-kryeshefin e AUV-it që nga koha kur Gjinovci më nuk është në AUV.

Krasniqi pohon se lejen që ia kishte lëshuar kompanisë INCA, ku më vonë është bërë aksionar Gjinovci, së pari e ka aprovuar Flamur Kadriu, i cili në atë kohë ishte drejtor i Shëndetit Publik.

“Licencën fillestare INCA-s ia ka dhanë Komisioni vlerësues, në të cilin unë s’kam ndikim, e pastaj e ka nënshkruar drejtori i departamentit (Flamur Kadriu) dhe në fund unë si zv.kryesues i AUV-it. Pra, derisa ka ardhur procesi te unë kanë qenë disa hallka që e kanë aprovuar atë leje dhe nëse unë s’do ta nënshkruaja, do rrezikoja të paditesha” – tha Krasniqi për KALLXO.

Krasniqi tregoi gjithashtu që edhe pse kishte qenë zv.kryeshef në AUV për 5 vjet e më shumë, ai kurrë s’kishte pasur qasje në dokumente që të kuptonte se pse fabrika nuk po lëshohej dhe çka po ndodhte me të. Ai e pranoi që është e pahijshme që fabrika nuk është në funksion qe sa vite, as nën udhëheqjen e Gjinovcit, as në udhëheqjen e tij e as nën udhëheqjen e Flamur Kadriut tash.