Naim Ismajli. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Si e komenton Naim Ismajli faktin që Komuna e Shtimes ia dha 54 tenderë një kompanie të vetme?

Komuna e Shtimes vetëm në vitin 2020 i ka dhënë kompanisë ‘Ardhmëria’, pronë e Dashnim Jasharit, 10 tenderë, katër prej të cilëve janë për punë shtesë. Në total kjo kompani që nga viti 2016 e deri më sot ka marrë 54 tenderë nga e njëjta Komunë.

Në lidhje me këtë çështje, kryetari Naim Ismajli në debatin “Jeta në Komunë” e arsyetoi dhënien e tenderëve një kompanie të vetme siç është ajo “Ardhmëria”.

Kompania ‘Ardhmëria’ vetëm për periudhën qershor- dhjetor 2019, pra për shtatë muaj, ka fituar 16 tenderë nga Komuna e Shtimes. Ndërsa në periudhat korrik- tetor të këtij viti e njëjta kompani ka fituar edhe 10 tenderë të tjerë, katër nga to për punë shtesë.

“Tenderët janë të hapur, ka kritere të vlerësimit dhe komisioni është i obliguar të respektojë Ligjin e prokurimit. Në këtë rast menaxheri i cili përkujdeset për respektimin e ligjit ndërsa komisioni bazohet në procedura dhe në bazë të procedurave ndodh në 95 për qind të rasteve shumë rrallë ndodh që të ketë formë që parasheh ligji ndryshe, por në 95 për qind të rasteve tenderët i jepen operatorëve që ka ofertën më të lirë por që duhet të jetë i përgjegjshëm”, ishte arsyetimi i Ismajlit.

Tutje Ismajli tregoi nëse e brengos fakti se vetëm një kompani në Shtime i ka marrë 54 tenderë.

“Dëshira ime do të ishte sikur të kishte një balancim në fitimin e konkurrencës mirëpo ndërhyrja jonë nuk mund të jetë ajo që ta favorizojmë atë që ka ngel sepse është e qartë në këtë aspekt është fat i mirë që është mandati i katërt si kryetar dhe gjithmonë je i informuar sepse eksperienca e bën që të jesh i informuar”, vazhdoi Ismajli.

 

Ismajli dha edhe detaje në lidhje me kontratat shtesë që i janë dhënë kompanisë “Ardhmëria” për punët shtesë të cilat nuk janë planifikuar në kontratën kryesore.

“Zakonisht kemi edhe kompaninë që bëjnë planifikimin e projekteve e projektojnë, ajo është një kompani që e bën projektimin dhe në këtë aspekt e dinë që do të ndodhin këto në procesin e prokurimit ne jemi të obliguar që t’i marrim projektet zbatuese dhe me këto projekte hapet konkursi për tender dhe të gjithë konkurrojnë. Mund të mos jetë që nga kompania projektuese që gjatë ekzekutimit nuk është parapa një punë që mund të jetë pengesë për një punë tjetër dhe janë ekspertët që e identifikojnë. Edhe ata vijnë përmes konkursit dhe kompanitë projektuese duhet me i marr përmes konkursit të tenderit”, tha tutje kryetari Ismajli.

Ismajli gjithashtu tregoi se ka raste kur nuk janë të kënaqur me kompanitë që kryejnë planifikimet e punëve për të cilat janë kontraktuar nga ana e komunës.

“A jemi të kënaqur me nivelin që i shkruajnë kompanitë? Në disa raste nuk jemi të kënaqur. Kemi shqiptuar vërejtje. Edhe kompania “Ardhmëria” ka pasur vërejtje kur ka sanu, nuk kemi pasur asnjë rast nëse është marrë vendimi dhe nuk është zbatu, kemi pasur me kompani të tjera”, tha Ismajli.

Në janar të këtij viti KALLXO.com kishte publikuar një hulumtim se si Komuna e Shtimes i ka dhënë 44 tenderë vetëm një kompanie gjatë periudhës 2016-2019. Vlera e këtyre kontratave ishte 2 milionë e 667 mijë euro.

Kontratat e fituara kanë qenë për mirëmbajtje dhe asfaltim të rrugëve, rregullim të kanalizimeve, riparim të urave, rregullim të rrugëve bujqësore e rregullim të terreneve sportive.

Tenderët e dhënë për të njëjtën kompani gjatë këtij viti janë për rregullimin e rrugëve bujqësore me zhavorr, tender ky i cili është përcjellë edhe më një aneks-kontratë për punët shtesë të cilat nuk janë planifikuar në tender, për rregullimin e rrethojave dhe tribunave në fushën sportive të qytetit, rregullimin e trotuareve, ndriçimit, stazës për biçiklist dhe gjelbërimit në rrugët “Komandant Kumanova”, “Tahir Sinani”, “Anton Çeta” dhe parkingut në shkollën fillore, asfaltimin e rrugës “Sami Frashëri” që lidhet me tranzitin “Hasan Prishtina” dhe rrugë të tjera brenda qytetit të Shtimes, zgjerimin e urës ekzistuese dhe rregullimi i dy urave të reja në fshatin Pjetershticë si dhe rregullimi i urës në rrugën “Ahmet Shtimja”, e cila është për punë shtëse edhe asfaltimi i rrugëve brend fshatit Gjyrkoc është kontratë për punë shtesë, kontratë shtesë të njëjtës kompani i është dhënë edhe për ndërtimin dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimit dhe rrugëve në fshatin Mollopolc.

Kompania “Ardhmëria” ka marrë tender edhe për fazën e dytë të rregullimit të sheshit të qytetit të Shtimes si dhe për asfaltimin e rrugëve në fshatin Petrovë dhe lagjen Luzhak dhe rregullimin e kanalizimit dhe ndërtimin e urave në fshatin Petrovë.