Si duket një dhomë në burgun e hapur të Dubravës - Pamje

Pavijoni i hapur i cili gjendet në Burgun e Dubravës ka 22 qeli në të cilët qëndrojnë të dënuarit të cilët janë duke vuajtur dënimet për shkak të veprave të ndryshme penale të cilat kanë kryer.

Ky pavijon funksionon si i hapur ndërsa të dënuarit kanë privilegje për shkak të sjelljes së mirë që kanë treguar ndër vite prej kur ata kanë filluar dënimet e tyre.

KALLXO.com në emisionin e transmetuar mbrëmë ju solli pamje se si duket një dhomë ku qëndrojnë të burgosurit në pavijonin e Burgut të Dubravës.

Në disa prej qelive janë të vendosura nga katër shtretër e në disa të tjera më pak. Nga dy e më shumë të burgosur të cilët gëzojnë privilegje vendosen në këtë pavijon për të vazhduar vuajtjen e dënimit të tyre.

Të dënuarit privilegjet kryesisht i kanë për vikende. Ata lejohen që të vizitojnë familjet përkundër të dënuarve të tjerë të cilët nuk e kanë këtë privilegj.

Përveç shtretërve, në dhoma ka edhe televizorë, ushqime, detergjentë të ndryshëm e pajisje të tjera të cilat të burgosurit i përdorin për të jetuar brenda këtyre qelive.

Për shkak të numrit të madh të gjësendeve që gjenden brenda një dhome të vetme në pavijonin e hapur të Burgut të Dubravës, në bastisjen e fundit, Shërbimi Korrektues i Kosovës ftoi edhe njësinë e qenve të Policisë së Kosovës.

Informacionet që kishte marrë Shërbimi Korrektues ishin që në këtë pavijon po zhvillohej kontrabandë me mallra të ndryshme por edhe me narkotik.

Javën e kaluar një bastisje u zhvillua në këtë hapësirat e burgut të Dubravës ndërsa ani pse nuk u gjet narkotik, zyrtarët korrektues arritën që të gjenin pajisje të ndaluara të cilat nuk lejohen që të përdoren brenda hapësirave korrektuese apo brugjeve.

Një telefon celular i është sekuestruar një të burgosuri.  Ky telefon u has në fillim të aksionit i cili nisi në orët e mbrëmjes kur të burgosurit kishin përfunduar të gjitha aktivitetet ditore.

Mbi 50 zyrtarë korrektues të burgjeve të ndryshme morën pjesë në bastisjen e cila ishte përgatitur që të zhvillohej në hapësirat e burgut të Dubravës.

Të ndarë në pesë ekipe të ndryshme ata do të bastisnin çdo qeli që ndodhej në pavijonin e hapur të Burgut të Dubravës.

Çdo zyrtar korrektues fillimisht kishte për detyrë që të siguronte nga një qeli. Pas sigurimit të dënuarit do të largoheshi nga aty dhe do të vendoseshin në një hapësirë tjetër të gjithë së bashku deri sa të përfundonte aksioni.

Për të mos lënë hapësirë që të mos pranonin se në dhomat e tyre mbajnë gjësende të jashtëligjshme, drejtuesi i këtij aksioni nga SHKK, Ismail Dibrani dha urdhrat që nga një i burgosur të qëndronte në çdo qeli.

Fillimisht ata do të kontrolloheshin nga gardianët e më pas do të ishin dëshmitarë gjatë kohës sa zhvillohej bastisja.

Çdo pajisje, çdo shtrat u kontrollua në detaje nga gardianët e ekipi i Qenve të Policisë së Kosovës.

Zëvendësdrejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani tha në një intervistë për KALLXO.com se arsyet e këtij aksioni ishin informacionet që kishin pranuar se brenda hapësirave të brugut po zhvillohej kontrabandë.

Informacione të tilla Dibrani thotë se marrin vazhdimisht e më pas trajtohen nga ekipet inteligjente dhe zyrtarët e burgjeve.

Në lidhje me dy të dënuarit që në aksionin e 8 tetorit, Dibrani tha se do të hetohej se nga i kanë marrë telefonin dhe dy kabllot që mundësojnë mbushjen e telefonave.

Në këtë rast do të ketë një hetim edhe të brendshëm për zyrtarët korrektues.

Tutje Dibrani shtoi edhe se për dy të dënuarit do të merret vendimi që të humbin privilegjet dhe të njëjtit do të kthehen brenda burgut i cili gjendet në perimetrin e sigurisë dhe ku nuk ka privilegje.