Si duhet të jepet ndihma e parë në rastet e aksidenteve?

Ndihma e parë paraqet kujdesin fillestar tek personi i lënduar apo i aksidentuar, pavarësisht se ku ndodhemi.

Secili qytetar është i obliguar të ofrojë ndihmën e parë mjekësore personave në urgjencë.

instruktori i dhënies së ndihmës së parë, Ilir Vitija në një intervistë për KALLXO.com ka treguar dhe demonstruar procesin e dhënies së ndihmës së parë.

“Në qoftë se marrim masa për dhënie të ndihmës së parë pa kaluar tre minuta, shanset për ta mbajtur në jetë apo pwr ta kthyer në jetë do ia shtojmë për deri në 75%”, thotë ai për KALLXO.com

Por, si duhet të jepet ndihma e parë?

Instruktori Vitija thotë se fillimisht duhet të sigurohet vendi në mënyrë që të mos rrezikohet jeta jonë, duhet të vlerësohet gjendja e viktimës nëse është me vetëdije apo pavetëdije dhe në fund duhet të telefonohet ndihma e shpejtë.

Vitija tutje tregon se në rastet kur viktima është pavetëdije nuk duhet të qëndrojë shtrirë në shpinë por duhet të vendosen në krah, pasi që qëndron rreziku që viktima mund të vjellë dhe si pasojë mund të ngulfatet.

“Qëllimi kryesorë i dhënies së ndihmës së parë janë: të ruhet jeta e të lënduarit të zvogëlohen lëndimet e mundshme të cilët mund të rriten në rast se ne nuk mund t’i ndihmojmë, të zvogëlohet panika dhe frika”, thotë Vitija.

Ai thotë se kalimtarët apo të pranishmit duhet të thërrasin ndihmën e shpejtë si dhe të përkujdesen për viktimën deri sa të vijë autoambulanca.

Dhënia e ndihmës së parë mbrohet edhe me ligj, sipas nenit 188 paragrafi katër personat të cilët nuk ofrojnë ndihmën e parë mund të dënohen nga 1 deri në 8 vjet burg.