Kreshnik Gashi - Kallxo.com

Si duhet media t’i trajtojë informacionet sekrete?

Më 19 shtator, një informacion që dyshohet të ketë qenë sekret, u publikua nga mediat në Shqipëri.

Aty thuhej se ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, deputetit Xhavit Haliti dhe ish-ushtarit të UÇK-së, Ismet Haxha, ishte planifikuar një atentat gjatë vitit 2021.

Menjëherë kishte reaguar Prokuroria e Tiranës, e cila kishte kërkuar që këto lloj informacionesh të mos publikohen nga mediat.

Por, si duhet të trajtohen informacionet që rrjedhin nga institucionet e sigurisë?

Redaktori menaxhues i KALLXO.com dhe anëtari i Këshillit të Mediava të Shkruara të Kosovës, Kreshnik Gashi, tha se mediat duhet të kujdesen që secili informacion që publikohet në radhë të parë të ketë interes publik.

“Sot e kemi mbajtë një mbledhje në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës dhe kemi diskutuar gjerë e gjatë për mënyrën se si duhet me u qas në problematikën e luftës hibride. Jemi duke jetuar në një kohë e cila ka ndryshuar në rrethana, në terren, në mënyrë të funksionimit se si po prodhohen dhe si po rrjedhin informacionet” – tha Gashi në emisionin “Kallxo Përnime”.

Sipas tij, për t’u përballur me situata të tilla si në Shqipëri, mediat duhet të ndërtojnë standarde se si t’i përdorin këto informacione.

“Gazetarët duhet të ndërtojnë standarde mbi të cilat i trajtojnë këto informacione, mbi të cilat i publikojnë dhe ripublikojnë këto informacione që rrjedhin prej institucioneve të sigurisë” – tha ai.

“E para është që publikimi duhet t’i shërbejë interesit të publikut, jo gjithmonë nga materialet e rrjedhura ka të atilla që i shërbejnë interesit publik. Elementi tjetër është që duhet të diskutohet brenda redaksive të dhënat personale, sepse ato mund të keqpërdoren. Elementi tjetër është që mediat duhet të vërtetojnë që ai dokument ekziston, ka forma të ndryshme për t’i verifikuar. Rreziku është se hakerët mund t’i falsifikojnë për ta dezinformuar publikun” – deklaroi Kreshnik Gashi.