
Kandidatët për deputetë nga AAK-NISMA. Foto:Denis Sllovinja/KALLXO.com
Si do të veprohet me Sekretarët e përgjithshëm të emëruar gjatë Qeverisë Kurti, nëse koalicioni AAK-Nisma vjen në pushtet?
Kandidati për deputet nga koalicioni AAK-Nisma, Ahmet Isufi, në “Debat Përnime” ka deklaruar se një pjesë e madhe e institucioneve në Kosovë gjatë Qeverisë Kurti, janë udhëhequr me ushtrues detyre.
Për ta ndryshuar këtë praktikë, ai tha se si koalicion do të angazhohen për të mundësuar zgjedhjen e njerëzve që kanë përgjegjësi të plotë mbi punën e tyre.
“Më mirë është të bëhet një angazhim institucional në këtë drejtim, në mënyrë që njerëzit të cilët konkurrojnë të zgjidhen dhe të kenë përgjegjësinë e plotë mbi punën në institucione”- tha ai.
Nëse koalicioni AAK-Nisma vjen në pushtet, ai premton se do të “hapen konkurset dhe në mënyrë ligjore do të lihet konkurrenca e lirë”, në mënyrë që mos të ketë pastaj ankesa që e prolongojnë procesin, apo ankesa që kur dërgohen në Gjykatë, pastaj çmimin e paguan shteti.
Ndërsa për partin në pushtet- LVV-në, Isufi tha se në vend të asaj që quhet meritokraci e në vend të profesionalizmit, ka vendosur njerëz familjarë që e kanë “bastarduar” komplet sistemin institucional në Kosovë, përfshirë këtu nivelin lokal dhe atë qendror.
Ai paralajmëroi se sekretarët permanent të emëruar me “urdhër” nga LVV-ja, të cilët e kanë dëmtuar interesin dhe funksionimin e ministrive do të ndërrohen.
Ndërkaq, kandidati tjetër Abdullah Klinaku tha se në fokus do kenë edhe kthimin e meritokracisë në institucionet shëndetësore.
Një gjë e tillë, sipas tij, do të bëhet më vazhdimin e procesit të decentralizmit.
“Unë besoj që procesi i decentralizimit duhet me vazhdu me shku edhe deri të spitalet, për shkak se sot një institucion shëndetësor, spital regjional ose spital i përgjithshëm, pa marrë parasysh në cilën komunë është, edhe për procedurat më të thjeshta duhet me marrë pajtimin ose me zhvillu procedurën pas aprovimit në ShSKUK”- tha ai.
Klinaku pretendon se gjatë këtij viti ka pasur tendenca të vazhdueshme që rekrutimin dhe konkurset me i zhvillu vetë ShSKUK-ja.
Vazhdimi i reformës për decentralizim, sipas Klinakut, do të krijonte hapësirë për meritokraci dhe do të ndikonte në ndaljen e korrupsionit.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marr pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” në nisje të debatit ku u diskutua për meritokracin në institucionet publike tha se: “Emërimi i komandantëve, drejtorave dhe bordagjinjëve vazhdoi me logjikën e njëjtë edhe në këtë mandat. Profesionalizmi u mat me sa të vjetrën e ke librezën e partisë, sa pare i ke dhënë donacion partisë, dhe sa shumë bërtet nëpër tubime zgjedhore. Meritokraci se jo mahi”.