Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Si do ta zhvillojnë ekonominë e Gjakovës, tregojnë Gjini e Kusari-Lila?

Kandidatët për kryetar të komunës së Gjakovës kanë treguar planet e tyre në lidhje me zhvillimin e komunës të cilën synojnë ta qeverisin nëse triumfojnë në balotazhin e 14 nëntorit.

Ardian Gjini nga AAK ka thënë se do të vazhdojnë me tempon e njëjtë të zhvillimit ekonomik që e kanë ndjekur në katër vitet e qeverisjes për shkak se sipas tij, Gjakova ka pasur zhvillimin më të madh ekonomik gjatë qeverisjes së tij.

“Te aspekti i zhvillimit ekonomik ndihme jashtëzakonisht i lumtur. Gjakova ka përjetuar bumin më të madh në katër dekadat e fundit, e kemi numrin më të madh të të punësuarve është fjala për krejt Kosovën. E kemi rrit hapësirën prodhuese. I kemi disa kompani që e bëjnë 40 për qind të eksportit të Kosovës. E kanë pa që në komunën e Gjakovë që nuk kanë asnjë kusht e që është partner i tyre. Në të ardhmen do të punojmë njëjtë, pa premtime e mos me bë asgjë. Gjakova po shndërrohet pastër në komunën më të zhvilluar ekonomike në Kosovë. Rritja e numrit të të punësuarve me diku 500 mijë vetëm me letra ka pasur Spillover edhe në bizneset e vogla”, ka thënë Gjini.

Në anën tjetër Mimoza Kusari -Lila nga VV ka thënë se do të përkrahin bizneset e reja që kanë prioritet prodhimin.

Gjithashtu Kusari- Lila tha se do të krijojnë një portal me të gjitha bizneset e Komunës së Gjakovës.

“Komuna e Gjakovës e ka parakusht të domosdoshëm është ndalja e procesit të privatizimit e që është ndalë me Qeverinë Kurti. Zonat industriale që kanë qenë në privatizim tash janë ndalë. Do të ofrojmë mundësi për startup, parashohim rivitalizimin e Barkosit, fokusi do të jetë te bizneset inovative e me prioritet ato që do të jenë në sektorin e prodhimit. Ne synojmë ta zhvillojmë Gjakovën së bashku me Malësinë, Tropojë e Bajram Curr. Do ta kemi menjëherë portalin që do ta bëjë prezantimin falas të të gjitha bizneseve që janë në komunën e Gjakovës”, ka thënë Kusari -Lila.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Gjakovës diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Gjakovë: Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Mimoza Kusari – Lila nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, kandidati i AAK-së  për kryetar të Gjakovës Ardian Gjini në raunadin e parë të zgjedhjeve më 17 tetor ka marrë 18 mijë e  973 vota apo 45.76 për qind. Kurse kandidatja e LVV-së Mimoza Kusari – Lila ka siguruar 15 mijë e 426 vota apo  37.20 për qind.

Debati po transmetohet në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.