Si dështuan planet e Putinit për ta shantazhuar Evropën për furnizim me gaz

Brenda tetë muajve nga pushtimi rus i Ukrainës, 27 shtetet e BE-së e kanë zëvendësuar rreth 80% të gazit natyror të cilin më parë e merrnin nga Moska.

Skenarët e rasteve më të këqija u grumbulluan gjatë muajve të verës. Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë paralajmëroi për mbyllje “katastrofike” të industrisë, prishje të zinxhirëve të furnizimit dhe papunësi masive. Presidenti i Francës u bëri thirrje qytetarëve ta reduktojnë ngrohjen. Spanja pyeste pse vendet që nuk ishin të lidhura me gazin rus duhet t’i shpëtonin fqinjët që u kishin dhënë leksione për disiplinën fiskale në të kaluarën.

Ndërkohë, ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, parashikoi me gëzim se evropianët do të “ngrinin në shtëpitë e tyre”, sepse ata nuk kishin menduar për pasojat e mbështetjes së tyre pas Ukrainës. “I ftohti po vjen së shpejti”, deklaroi Medvedev në mënyrë kërcënuese, në qershor të vitit të kaluar.

Por ndërkohë që Bashkimi Evropian hyn në muajin e fundit të dimrit meteorologjik 2023, shenjat po bëhen më të qarta se anëtarët e tij e kanë tejkaluar një krizë historike – dhe jo vetëm sepse “General Frost”, apo Dimri Rus siç njihet ndryshe, është dëshmuar si një kundërshtar më i butë nga sa ka parashikuar Medvedev.

Brenda tetë muajve kur trupat ruse vunë qizmen në tokën ukrainase, blloku i 27 shteteve anëtare të BE-së e ka zëvendësuar rreth 80% të gazit natyror që përdorte për ta nxjerrë përmes tubacioneve me Rusinë, duke ndërtuar me shpejtësi infrastrukturë të re për gazin natyror të lëngshëm, LNG, duke gjetur mënyra atraktive për ta ndihmuar njëri-tjetrin në mes të mungesave dhe duke i ndjekur me sukses politikat e kursimit të energjisë.

Holanda, për shembull, prodhuesi më i madh i gazit natyror të BE-së, ishte mbështetur në gazin rus për 15-20% të furnizimeve të saj ndërkohë që e shkatërroi fushën e saj të madhe në Groningen, mirëpo e dyfishoi kapacitetin e saj të importit të LNG-së me njësi magazinimi dhe rigazifikimi në Roterdam dhe Eemshaven.

Holanda e përdori kapacitetin shtesë për ta përmbushur kërkesën e brendshme – të cilën arriti ta reduktonte me 22% krahasuar me mesataret e viteve të mëparshme – dhe furnizimin me gaz të tepërt në Republikën Çeke, Gjermani dhe Francë. Si kudo tjetër, çmimet e energjisë së konsumit u rritën, por ato u subvencionuan dhe u kufizuan.

“Kishte një moment vjeshtën e kaluar kur u shqetësova se disa qeveri evropiane do t’i përgjigjeshin krizës duke i dhënë përparësi furnizimeve të tyre energjetike dhe do ta ndalonin ndarjen me fqinjët e tyre, gjë që do të kishte qenë shkatërruese ekonomikisht dhe politikisht”, tha Simone Tagliapietra, eksperte energjetike në një institut në Bruegel me seli në Bruksel.

“Por Evropa arriti ta shmangë tundimin e proteksionizmit dhe arriti ta mbajë tregun e saj të brendshëm të paprekur”.

Çmimet e gazit ranë në rreth 55 euro për megavat orë (Mwh) të hënën, një nivel i parë për herë të fundit para fillimit të luftës në shtator të vitit 2021, nga 330 euro/Mwh në fund të gushtit të kaluar.

Gjatë gjithë vitit të kaluar, kërkesa për gaz në Bashkimin Evropian ishte 12% më e ulët se mesatarja nga periudha 2019-2021, vlerëson Bruegel.

Gjermania, e destinuar gjithmonë ta mbajë barrën e përpjekjeve të shantazhit të Putinit për gazin për shkak të varësisë së saj të madhe në eksportet e energjisë nga Rusia, arriti të përdorë 14% më pak gaz në vitin 2022 sesa kishte bërë mesatarisht në vitet 2018-2021. Gjermania futet në muajin shkurt me rezervuarët e tij të depozitimit të gazit 80% të mbushura, krahasuar me 36% në këtë të njëjtën kohë të vitit të kaluar.

Edhe pse çmimet e larta të gazit kanë shkaktuar ndikimin e tyre në industrinë gjermane, dëmi deri më tani nuk ka qenë katastrofik. Ndërsa PBB-ja në ekonominë më të madhe të Evropës ra me 0.2% nga tetori në dhjetor, qeveria javën e kaluar e përmirësoi parashikimin e saj për vitin e ardhshëm, duke parashikuar që recesioni të jetë “më i shkurtër dhe më i butë” nga sa pritej.

Vendet nordike ishin edhe më të suksesshme në reduktimin e konsumit të gazit, me Danimarkën që uli kërkesën totale – për prodhimin e energjisë elektrike, industrinë dhe ngrohjen shtëpiake – me 24%, Suedinë me 36% dhe Finlandën me 47% (edhe pse gazi natyror përbënte vetëm 5 % e nevojave të tij të përgjithshme për energji).

Verën e kaluar, disa shtete të Evropës Jugore fillimisht kishin sinjalizuar hezitim për ta ndarë në mënyrë të barabartë barrën e kursimit të energjisë. Spanja ra dakord për një reduktim prej 7-8% të përdorimit të gazit pasi argumentoi se objektivi i përgjithshëm prej 15% nuk ishte thjesht i drejtë për vendet të cilat, sikurse ajo vetë, nuk vareshin shumë nga gazi rus dhe që i kishin “bërë detyrat tona të shtëpisë” kur ishte fjala për diversifikimin e furnizimeve me energji.

Megjithatë, ajo nuk u shmang nga detyra. Në korrik, qeveria e koalicionit të udhëhequr nga socialistët njoftoi një sërë masash që synojnë të ndihmojnë në reduktimin e konsumit të energjisë në vend dhe përdorimin e naftës dhe gazit rus. Shumë nga iniciativat bazoheshin në kursim dhe sens të përbashkët.

Masat, të cilat do të mbesin në fuqi deri në këtë nëntor, vendosin kufizime të ashpra për temperaturat e ajrit të kondicionuar dhe ngrohjes në ndërtesat publike dhe ndërtesat e mëdha tregtare.

Sipas dekretit, ngrohja në qendrat tregtare, kinematë, teatrot, stacionet hekurudhore dhe aeroportet nuk duhet të vendoset mbi 19C në dimër dhe klimatizimi nuk duhet të vendoset nën 27C në verë.

Si rezultat, Spanja përfundoi në përmbushjen e objektivit për të cilin kishte hezituar të angazhohej: midis gushtit dhe nëntorit, ky vend uli kërkesën e tij për gaz natyror me 15% krahasuar me nivelin e konsumit për të njëjtën periudhë në pesë vitet e fundit.

Në Francë, përpjekja për kursimin e energjisë u bë një betejë e vështirë, sepse disa reaktorë kryesorë bërthamorë francezë po i nënshtroheshin punëve të mirëmbajtjes ose sigurisë ashtu siç duheshin më shumë se asnjëherë më parë.

Nga fillimi i majit deri në fund të tetorit, rreth gjysma e 56 reaktorëve të Francës qëndruan të papunë për shkak të punimeve të riparimit, duke e kthyer vendin nga eksportuesi më i madh i energjisë elektrike në Evropë në një importues neto. Një nga vendet që i rriti eksportet e saj të energjisë elektrike në Francë në atë periudhë ishte Gjermania, e cila nga ana e saj importonte më shumë gaz nga fqinji i saj perëndimor.

Pasi zyrtarët lokalë francezë kishin përgatitur plane emergjence për skenarin më të keq të ndërprerjeve të energjisë në dhjetor, situata është stabilizuar. Nga mesi i janarit, 73% e flotës bërthamore të Francës u kthye në funksionim, duke ia bërë të mundur Francës ta rikthente vendin e saj si eksportuesi kryesor i energjisë elektrike në BE.

Kur uzinat bërthamore filluan të përballeshin me vështirësi, burimet e rinovueshme erdhën në shpëtim. Sipas një analize nga instituti shkencor Ember Climate, Bashkimi Evropian 2022 mori 22% të energjisë elektrike nga energjia diellore dhe e erës, me burimet e rinovueshme që e tejkalojnë gazin për herë të parë.

Befasisht, Suedia, me një përzierje energjie të dominuar prej kohësh nga energjia bërthamore dhe hidrocentrale, u bë eksportuesi më i madh i energjisë në Evropë në vitin 2022, duke shitur 20% të prodhimit të saj jashtë vendit – pjesërisht falë rritjes së shpejtë të erës në tokë.

Era është tani burimi i tretë më i madh i energjisë elektrike në Suedi dhe është planifikuar të zgjerohet më tej. Kapaciteti i energjisë së erës në Finlandë u rrit me 75% vetëm vitin e kaluar, duke i dhënë mundësi këtij vendi ta rrisë vetë-mjaftueshmërinë energjetike “me një ritëm vërtet të mirë”, thanë zyrtarët.

Planet për ta zgjeruar prodhimin e energjisë së rinovueshme, në fakt, janë përshpejtuar rrënjësisht nga kriza energjetike në të trija vendet nordike, me energjinë e erës dhe diellit në tokë që tani parashikohet të dyfishohet deri në vitin 2030 dhe era është burimi dominues i energjisë.

Në fund të fundit, vendimi i Vladimir Putinit për betejën energjetike do të ketë ndihmuar që Suedia të prodhojë 65% të energjisë së saj nga burimet e rinovueshme deri në fund të dekadës, Finlanda 51% dhe Danimarka 55%.

Një vit rimendimi i furnizimeve me energji nuk e ka bërë Evropën më të pastër në të gjithë bllokun e BE-së. Në Poloni, e cila ende mbështetet te qymyri për shumicën e nevojave të saj për ngrohje, qeveria ka futur një kompensim për qymyrin dhe i ka ngrirë çmimet e energjisë elektrike për familjet individuale. Pasi bizneset e vogla dhe të mesme po përballeshin me faturat e energjisë shumë herë më të mëdha se ato të viteve të mëparshme, qeveria polake vendosi një ngrirje për to.

Kriza ka nënkuptuar një ngadalësim të planeve në shumë vende për ta hequr gradualisht qymyrin nga përdorimi, me çështjen që rrëshqiti më tej në rendin e ditës në Poloni, ndërkohë që në Bullgari deputetët votuan kohët e fundit për shtyrjen e planeve për heqjen nga përdorimi i termocentraleve me qymyr./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala