“Si ‘Dekameroni’ i Boccaccio-s”: Studentët ballkanas presin në Itali

Disa të frikësuar se mund të infektonin familjet e tyre, të tjerëve u iku mundësia – studentët e Ballkanin presin duarkryq në Itali që pandemia të marrë fund.

 

Ndërkohë që pandemia COVID-19 ka shkaktuar kthimin masiv në Ballkan të shumë punëtorëve emigrantë, disa studentë nga rajoni mbetën në Itali, e cila është edhe epiqendra e shpërthimit të koronavirusit.

Disa qëndruan nga dëshira, ​​të tjerë sepse linjat e transportit u ndërprenë para se ata të mund të niseshin.

“Nuk besoj se është etike për mua të kthehem në Kosovë kur ekziston mundësia që të mund të infektohem”, tha kosovari Bardh Prenkaj, pedagog dhe kandidat për doktoraturë në shkenca kompjuterike në Universitetin Sapienza në Romë.

Me vendin tashmë të izoluar, shumica e universiteteve italiane e kanë vazhduar mësimin online. Profesorët i regjistrojnë leksionet në video në mënyrë që studentët të mos mbeten pas.

“Ishte e vështirë të përshtateshe me këtë lloj mbajtje leksionesh, sepse bashkëbisedimi me studentët nuk është i natyrshëm”, tha Prenkaj, departamenti i të cilit kaloi në kurse online një ditë pasi kryeqyteti u vendos në karantinë.

Në Firence, studenti i doktoratës Vuk Uskokoviç nga Mali i Zi tha se ai kishte një njdesi se historia po përsëritej, me jetën në Itali që i kujton sfidat me të cilat përballeshin komunitetet e shekullit të 18-të që ai studion në kufirin midis perandorive veneciane dhe osmane.

“Duke punuar kryesisht nga raportet veneciane të mbushura me karantina, sëmundje ngjitëse, kufij të ruajtur mirë, por të përshkueshëm, udhëtime disa javore, çështje të furnizimit dhe pasiguri tepër të përhapur ngado, e gjej veten në një pozicion disi të krahasueshëm me atë të njerëzve që studioj”, tha Uskokoviç.

Ai tha se kishte shumë të huaj në Itali në një situatë të ngjashme, të cilët ndjekin me shqetësim zhvillimet në vendet e tyre të lindjes.

A do të kthehet në normalitet jeta?

Në Ballkan janë konfirmuar më shumë se 3,000 raste. Në Itali, ka pasur më shumë se 105,000 raste të konfirmuara dhe mbi 13,000 vdekje.

Universitetet, muzetë, kinematë, teatrot, shumica e dyqaneve dhe restoranteve janë të mbyllura dhe policia patrullon rrugët për t’u siguruar që njerëzit të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për arsye thelbësore, siç është për të shkuar në supermarket ose farmaci. Ata që kapen duke shkelur rregullat përballen me gjobë që varion nga 400 deri në 3,000 euro.

Pikat turistike që dikur dëlonin nga turistët kanë rënë në heshtje. Të vetmet vende të mbushura me njerëz janë supermarkete, ku klientët presin në radhë, të paktën një metër larg njëri-tjetrit dhe të cilëve u dorëzohen doreza menjëherë sapo hyjnë në supermarket.

“Shumica e njerëzve në lagjen ku rri unë janë njësoj si unë, të huaj që jetojnë në Firence, të cilët, në një gjendje izolimi, po ndjekin me shumë shqetësim atë që po ndodh në vendet e tyre të lindjes, e cila ka gjasa të jetë më stresuese sesa ajo që ne kemi këtu”, tha Uskokoviç për BIRN.

“Për momentin, po mundohemi të vazhdojmë hulumtimin tonë, të gjejmë mënyra të tjera për të kaluar kohën në karantinë dhe po përpiqemi të lidhemi me miqte tanë në internet”, tha ai.

“Individualisht, të gjithë po presim që jeta në një pikë të parashikueshme të kthehet në rrjedhën e saj të zakonshme, por pyetja e madhe është nëse pas gjithë kësaj është ende e mundur t’i kthehemi jetës politike dhe ekonomike të vetëm disa javëve më parë.”

“Murtaja që shkaktonte vdekje”

Sheshi Santa Maria del Fiore i zbrazur. Foto: Blerta Begisholli.

Gjithashtu në Firence, studiuesja serbe e post doktoraturës, Milica Prokiç, tha se vendosi të mos kthehej në Beograd nga frika se mund të ishte infektuar me virusin dhe t’ia transmetonte atë prindërve të saj të moshuar.

Edhe pse ndihej e plogësht, Prokiç tha se ajo ishte “duke kërkuar produktivitet në mes të gjithë këtij bombardimi me me lajme të këqija nëpër rrjetet sociale”, por ndihej me fat duke pasur parasysh se ajo e ka ende një rrogë dhe çati mbi kokë.

Studenti i doktoratës Ivo Iliev nga Bullgaria, e krahasoi situatën me fillimin e “Decameron”-it, në të cilin shkrimtari italian i shekullit XIV Giovanni Boccaccio përshkroi epideminë e Vdekjes së Zezë që përfshiu Europën, “kur në qytetin e famshëm të Firences`ra murtaja që shkaktonte vdekje”.

Dyqanet dhe kishat u zbrazën dhe trupat varroseshin me qindra nëpër llogore.

Për Ilievin, të punosh nga shtëpia nuk mund të krahasohet me “shkëmbimin e vazhdueshëm” të jetës së gjallë universitare.

“Sapo të hiqet ky mjedis produktiv, bëhet e pashmangshme rënia e konsiderueshme në cilësinë e kërkimit”, tha Iliev për BIRN. “Seminaret e dixhitalizuara, takimet në”Zoom” dhe qasja në internet në burimet e bibliotekës mund të ndihmojnë disi që puna të vazhdohet, por vetëm çalë çalë.”

“Në sektorin arsimor, dixhitalizimi në shkallë të plotë nuk mund të jetë kurrë e vetmja zgjidhje. Në planin afatgjatë, jeta universitare po zhvishet nga kuptimi pa pjesëmarrje fizike, dhe izolimi dhe distanca janë të dëmshme për veprimtarinë intelektuale.”

Të tjerët, natyrisht, u larguan kur e patën mundësinë ta bënin këtë.

Pasi u testua për koronavirus dhe rezultoi negativ, Denis Qerimi, një student i arkitekturës në Universitetin Sapienza, u kthye në Kosovë nga Roma më 5 mars, në fillim të krizës. Ai nuk e merrte me mend se kjo gjendje do të zgjaste kaq shumë.

“Në fillim, nuk ma merrte mendja se izolimi do të zgjaste më shumë se një javë”, tha ai/Reportel.al