'Si cunami', i përshkruajnë vërshimet spanjollët e mbijetuar

“Kur uji filloi të ngrihej, na vërshoi si valë”, ka treguar Guillermo Serrano Perez. “Ishte si cunami”.

21-vjeçari nga Paiporta, afër Valencias, është një nga mijëra personat që përjetuan përmbytjet e së martës mbrëma, të cilat përfshinë rajonin dhe lanë të vdekur të paktën 95 persona, raporton BBC më 31.10.2024.

Ai ishte me prindërit  duke ngarë makinën në autostradë kur vërshoi uji. Ata mbijetuan duke u ngjitur në një urë dhe duke e braktisur makinën e tyre në furinë e ujit të përmbytjes.

Edhe pse shiu i dendur kishte goditur zonën për orë të tëra, shumë njerëz, si Guillermo Serrano Perez dhe familja e tij, ishin të pavetëdijshëm për forcën e përmbytjeve.

Megjithatë, shenja kishte.

Të martën në mëngjes rreth orës 07:00, agjencia meteorologjike e Spanjës, Aemet, paralajmëroi se reshjet e rrëmbyeshme ishin parashikuar për rajonin e Valencias.

“Jini shumë të kujdesshëm! Rreziku është ekstrem! Mos udhëtoni nëse nuk është absolutisht e nevojshme”, njoftoi Aemet në X, përpara se të lëshonte një “alarm maksimal të kuq”.

Gjatë gjithë ditës, u dhanë më shumë alarme, duke paralajmëruar autoritetet lokale që të parandalonin njerëzit të afroheshin te brigjet e lumit.

Nga ora 15:20, qendra rajonale e koordinimit të emergjencave tashmë po publikonte imazhe të rrugëve të përmbytura shumë në komunat La Fuente dhe Utiel, në perëndim të Valencias.

Disa orë më vonë, ajo tha se disa lumenj në zonë po fryheshin dhe u kërkoi njerëzve të largoheshin nga brigjet.

 

Paralajmërimi i vonuar

Por në shumicën e vendeve, tashmë ishte tepër vonë.

Chiva – rreth 20 kilometra  larg – ishte ndër të parat që përjetoi tërbimin e plotë të përmbytjeve.

Gryka e thellë që përshkon qytetin thuhet se ishte mbushur me ujë që të martën pasdite pas reshjeve të dendura.

Nga ora 18:00, rrugët e qytetit ishin kthyer në lumenj të furishëm, me forcën e ujit që tërhiqte zvarrë makinat, llambat e rrugëve dhe stolat.

Shërbimet e urgjencës u përpoqën për të ndihmuar në të gjithë rajonin, por shpejtësia me të cilën uji vërshoi rrugët ishte e pashembullt.

“Një shi shumë i fortë ra papritur… dhe uji u ngrit një metër ose një metër e gjysmë për pak minuta”, ka treguar kryetari i qytetit Riba-roja de Túria.

Diku tjetër në rajon nisën të dalin lajmet se njerëzit ishin zhdukur pasi u përlanë nga përmbytjet.

Megjithatë, mbrojtja civile nuk u dërgoi paralajmërim banorëve të rajonit të Valencias që të mos udhëtonin deri dy orë më vonë, pas orës 20:00.

Shumëkush ka vënë në pikëpyetje kohën e atij paralajmërimi, i cili u dha më shumë se 12 orë pasi agjencia meteorologjike spanjolle kishte ngritur alarmin e parë të kuq.

Disa thonë se u alarmuan shumë vonë që të kërkonin strehim në katet më të larta, ose të dilnin nga rrugët, të cilat ishin të zënë me udhëtarët që ktheheshin në shtëpi pas punës.

 

“Nuk kishim parë kurrë diçka të ngjashme”

Paco po udhëtonte me makinë nga Valencia për në Picassent , kur u kap në befasi nga përmbytjet e shpejta që gëlltitën rrugët.

Ai i tha gazetës “El Mundo” se  “shpejtësia e ujit ishte e çmendur” pasi tërhiqte makinat: “Presioni ishte i jashtëzakonshëm. Arrita të dal nga makina dhe uji më shtyu në një gardh që arrita ta kapja, por nuk mund të lëvizja”.

“Nuk më lejoi. Më grisi rrobat”, tha ai.

Patricia Rodriguez, nga Sedavi, gjithashtu u përla nga përmbytjet teksa po shkonte në shtëpi nga puna. Ajo tha për mediat lokale se uji filloi të ngrihej ndërsa ishte ulur në një linjë trafiku pranë Paiportas dhe se makinat filluan të notonin.

“Ne kishim frikë se lumi do të dilte nga brigjet e tij sepse ishim pikërisht në vijën e zjarrit”, tha ajo. Ajo arriti të arratisej në këmbë me ndihmën e një shoferi tjetër dhe, e tmerruar, pa me sytë e saj teksa një i ri aty pranë mbante fort një foshnjë të porsalindur.

“Ishte po aq mirë që askush nuk rrëshqiti, sepse nëse do të ndodhte, rryma do të na kishte përlarë me vete”, ka treguar ajo.

Në Valencia, Juliano Sanchez u shpëtua me simptoma të hipotermisë pasi ishte shtrënguar pas palmave për shtatë orë.

“Unë nuk doja të vdisja”, ka thënë për “El Periodicon”.. “Kapa disa palma dhe u mbajta me gjithë forcën time që lumi të mos më merrte me vete”.

Por shumë të tjerë ishin me më pak me fat.

Dhjetëra njerëz ende kosniderohen të zhdukur në të gjithë rajonin. Raportohet së paku për 95 të vdekur derisa po vazhdojnë aksionet e kërkim-shpëtimit. Të mbijetuarit kanë përshkruar sesi ishin të pafuqishëm përballë shkatërrimit të tmerrshëm.

“Ne pamë dy makina duke u rrëmbyer nga rryma dhe nuk e dimë nëse kishte njerëz brenda”, ka përshkruar një burrë për “Las Provincias”. “Nuk kishim parë kurrë diçka të ngjashme”.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com