Shyqyri Haxha tregon pse Telekomi ia pagoi qiranë e banesës

Në emisionin “Kallxo Përnime”, ish-kryeshefi i Postës dhe Telekomunikacionit (PTK), Shyqyri Haxha, është pyetur edhe për mbulimin e qirasë së banesës në Prishtinë që kapte vlerën 2 mijë euro në muaj, në kohën kur ishte kryshef. 

Haxha deklaroi se ka qenë rregullore e brendshme e PTK-së që të mbulohen shpenzimet e qirasë për stafin ndërkombëtar, familjet e të cilëve jetojnë jashtë vendit.

Ai tha se për këtë çështje ka pasur edhe proces gjyqësor.

“Çka ka me të shpjegu, kur ka qenë një proces gjyqësor. Stafi ndërkombëtar që ka ardhë në Kosovë, kanë qenë procedura të brendshme të kompanisë edhe jashtë, stafi ndërkombëtar që ka ardhë, unë kam ardhë si staf ndërkombëtar, se unë jam shtetas britanik, unë kam ardhur nga Britania e Madhe edhe familjen atje. Stafi brenda Telekomit të Kosovës që familjet e tyrre kanë jetu në Perëndim, ka qenë vendim i bordit që qiranë e familjeve tyre me i mbulu, edhe është hap një proces gjyqësor edhe është konstatu që asnjë shkelje s’kemi bë. Çdo staf ndërkombëtar që familjet e tyre kanë jetu jashtë, nuk kanë mujtë me pagu qira edhe këtu edhe atje”, u shpreh Haxha. 

Më 4 nëntor 2016, Shyqyri Haxha është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë. 

Ndaj tij ishte ngritur një aktakuzë në nëntor të vitit 2014. 

Shyqyri Haxha akuzohej se gjatë viteve 2009-2011, duke qenë në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së ka zbatuar rezolutën e bordit të drejtorëve të PTK-së, përkatësisht ka mbuluar shpenzimet e qirasë për stafin e PTK-së që jetojnë jashtë Kosovës. 

Si rrjedhojë, sipas aktakuzës, kishte përfituar në mënyrë të kundërligjshme pagesën e qirasë si dhe të ngarkesave tjera të cilat kanë një vlerë prej 2,000 euro për çdo muaj, e cila në total arrinin shumën prej 53,000 eurove.