Foto: MPJD

Shumica e misioneve diplomatike të Kosovës nuk kanë raportuar për shpenzimet e veturave

Shumica e misioneve diplomatike dhe konsullore nuk kanë raportuar fare në vitin 2020 për shpenzimet të cilat i kanë bërë gjatë shfrytëzimit të veturave në vendet ku janë të vendosura.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka konstatuar se në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për shpenzimet e veturave, kanë raportuar vetëm 8 misione diplomatike.

“Kemi identifikuar se vetëm 8 misione diplomatike kishin raportuar në Divizionin e Transportit/ Logjistikës në MPJ për shpenzimet mujore për të gjitha automjetet e misionit ndërsa misionet diplomatike tjera nuk kishin raportuar fare. Mosraportimi kishte rrjedhur si rezultat i kontrollit të brendshëm jo adekuat nga ana e misioneve diplomatike dhe mbikëqyrjes së dobët nga ministria”, thuhet në raport.

Udhëzimit Administrativ për përdorim të automjeteve zyrtare për misionet diplomatike përcakton se: “zyrtari përgjegjës për automjetet, i caktuar nga shefi i misionit diplomatik apo konsullor harton raportin me shifra për shpenzimet mujore, të plotësuar për të gjitha automjetet e Misionit, duke përfshirë raportin për secilin automjet dhe i njëjti i raporton Divizionit të Transportit/ Logjistikes në MPJ”.

Sipas Auditorit “mosraportimi mujor për automjetet e misioneve diplomatike dhe kosullore, mund të ndikojë që automjetet zyrtare të mos përdoren për qëllime të duhura dhe kjo mund të çojë deri të keqpërdorimi i tyre”.

Auditori po ashtu ka dhënë edhe rekomandime për ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila është pajtuar me gjetjet e auditorit për ministrinë që drejton.

“Ministrja duhet të sigurojë që, nga misionet diplomatike dhe konsullore mbajtja e evidencave të bëhet për secilin automjet zyrtar dhe raportet mujore të dërgohen në divizionin përkatës sipas kërkesave të rregullores në fuqi”, thuhet në rekomandim.

Auditori po ashtu ka gjetur se misionet diplomatike vonohen në raportimin edhe për shpenzimet personale dhe operacionale në misione diplomatike dhe konsullores.

Sipas Auditorit, vonesat në raportimin e këtyre shpenzimeve janë një praktikë në MPJD-së.

“Edhe në vitin 2020 kemi vërejtur vonesa në procesin e raportimit nga ana e misioneve diplomatike dhe konsullore. Kjo dukuri ishte raportuar edhe vitet paraprake dhe gjendja pothuajse është e njëjtë. Vonesat e identifikuara ishin mbi afatin kohor prej 15 ditësh”, thuhet në raport.

Konsullatat dhe ambasadat e Kosovës kanë mbi 1.6 milion euro avance të pambyllura

Konsullatat dhe ambasadat me mijëra euro tejkalim të limiteve bankare