Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shumica e kandidateve për asambliste në Rahovec premtojnë mbështetje për gratë 

Kandidatet për asambliste në Komunën e Rahovecit, në Debat Pernime i kanë shpalosur prioritetet e tyre nëse marrin mandat nga zgjedhjet lokale të 17 tetorit.

Fuqizimi i grave dhe avancimi i tyre në profesione të ndryshme, ishte në mesin e premtimeve më të shpeshta të kandidateve.

Kandidatja nga radhët e AAK-së, Bjondina Kleqka e cila është aktulisht drejtoreshë e Kulturës në komunë, tha se e ka në fokus të merret me hallet e qytetarëve në përgjithësi.

“Në fillim përkushtimi është të mirrem me çështje dhe problematikat e rinisë, komunitetit artistik dhe sportit. Po ashtu është barazia gjinore dhe të drejtat e barabarta”, tha mes tjerash ajo.

Po ashtu nga AAK-ja, Besmire Bytyçi, tha se nëse bëhet asambliste ka në plan të mbështesë punëtorët e sektorit privat.

“E di që kjo kërkon më shumë vëmendje nga Qeveria, mirëpo është shumë e dhimbshme të shohim sa të rinj dhe të reja punojnë në sektorin privat pa ditë pushimi ndonjëherë, punojnë në festa zyrtare dhe me një rrogë minimale”, tha ajo.

Kandidatja shtoi se do të bëjë më të mirën e saj për lirimin e trotuareve nga veturat.

Kurse, kandidatja nga LDK-ja, Edona Kryeziu theksoi se prioritet parësor i saj është përfaqësimi gjinor.

“Do të jem në përkrahje të vazhdueshme të gjinisë femërore sepse e njoh nga afër forcën edhe vullnetin e grave dhe besoj fuqishëm në potencialin e tyre”, tha ajo duke shtuar se komunës do t’i shtojnë dy shkolla të reja, në fshatin Pastasel dhe Xërxë.

Kandidatja tjetër për asambliste, Florida Bajraktari nga PDK, tha se do të mundohet të shtyjë përpara projekte që janë të papërfunduara si uji i pijes, kanalizimi, kubëzimi dhe ndriçimi.

Ajo shtoi se do të mundohet të ndihmojë edhe gratë për avancimin e tyre.

Melinde Iska, kandidate për asambliste nga PDK-ja po ashtu tha se do të ketë prioritet shëndetësinë dhe përfshirjen e grave në vendimmarrje.

“Do të avokojë rritjen apo shtimin e numrit të punëtorëve shëndetësor, sidomos infermierëve në kujdesin parësor. Për gratë, unë jam shumë e lumtur që jam në listën e PDK-së që ka më së shumti gra dhe vajza se partitë tjera. Do të kujdesem të kemi përfaqësim më të madh të grave që të tejkalojmë kuotën gjinore”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, nga LVV-ja, Merisa Sharku-Vuqitërna ka thënë se prioritet i saj do të jenë përkrahja e grave me grante dhe subvencione, ndërtimi i çerdheve, krijimi i parqeve e pishinë gjysmë-olimpike.

“Me një fjalë hapësira ku rinia do të përqendrohet. Synimi do të jetë edhe përkrahja e grave”, tha ajo.

Kandidatja tjetër nga LVV-ja, Shqipe Kryeziu u shpreh se do të jetë zë i fuqishëm i grave në disa prioritete në disa fusha, si në arsim, ekonomi dhe mirëqenie sociale.

Ajo shtoi se do të punojë për depolitizim në arsim, duke shtuar se do të jetë zë që të rriten numri i grave në krye të drejtorive në 10.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Rahovecit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Rahovecit: Bejtullah Deliu nga PDK; Burim Krasniqi nga LDK; Smajl Latifi nga AAK; Visar Korenica nga LVV dhe Xhafer Bytyqi – kandidat i pavarur.  

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Rahovecit: Besmire Bytyçi dhe Bjondina Kleqka nga AAK; Edona Kryeziu nga LDK; Florida Bajraktari dhe Melinde Iska nga PDK; Merisa Sharku Vuqitërna dhe Shqipe Kryeziu nga LVV.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.