Ferizaj

Shumica e bizneseve në Ferizaj të dielave ditë pushimi

 

 

Propozimi i kryetarit të komunës së Ferizajt, Agim Aliu, që dita e diel të jetë pushim për shumicën e bizneseve, është miratuar në kuvendin komunal.

Drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit, Zekir Bytyqi, tha kanë pasur kërkesë nga bizneset që dita e diel të jetë ditë pushimi, dhe kanë hartuar një rregulluare funksionale me standarde evropiane.

“Duke ju referuar kërkesave të një numri të bizneseve ferizajase kanë parashtruar kërkesën që dita e diel të jetë ditë pushimi, ne si komunë e Ferizajt, kemi hartuar një rregullore funksionale dhe me standarde evropiane”, u shpreh Bytyqi.

Arian Imeri, shef i grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, e ka përkrahur këtë rregullore, madje ka theksuar se edhe në rregulloren e vitit 2005, dita e diel ka qenë pushim.

I kënaqur për këtë rregullore u shpreh edhe nënkryetari i kësaj komune, Naim Ferat, ku u shpreh se kjo rregullore është e harmonizuar me të gjithë ligjet në vend.

Ndërkaq, i pakënaqur për këtë u shpreh Shkelzen Selmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas tij ky vendim do të dëmtojë qytetin, të hyrat mund të shkojnë jashtë qytetit të Ferizajt.

Të gjitha bizneset janë të obliguara që të harmonizojnë orarin e punës, brenda 30 ditëve nga dita e hyrjes në fuqi.

Kjo rregullore do të hyjë në fuqi 15 ditë pas regjistrimit në zyrën e protokollit në Ministrinë e Administratës të Pushtetit Lokal, si dhe publikimit në ueb-faqen zyrtare të komunës.