Shumë libra, pak lexues

Rreth një mijë tituj librash të vjetër e të rinj, të përdorur e të rrallë, kanë zënë tavolinat nën tendën e vendosur në platon e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë.

Edhe pse nuk ka shumë shitje të librave, botuesit të cilët po marrin pjesë në edicionin e parë të panairit “Fushë Kosova 2021”, po presin me shpresë që të ketë shitje në mbrëmje ose në dy ditët në vazhdim.

Feride Berisha nga Shtëpia Botuese ‘PA’ në mungesë të blerësve të librave në panairin që është hapur sot në Fushë Kosovë, i ka dhuruar rreth 15 libra falas që nga mëngjesi deri në orën 2 të mesditës.

“Asnjë hiç nuk është shitë prej mëngjesit. Nuk ka blerës as lexues, veç sa kam falë libra prej mëngjesit”, u shpreh Berisha për KALLXO.com e cila që nga mëngjesi po tenton të bind njerëz të lexojnë duke i ofruar edhe libra falas.

Panairi i Librit ‘Fushë-Kosova 2021’
FOTO: KALLXO.com

Ani pse ‘Panairi i Librit’ në Prishtinë nuk është mbajtur ende këtë vit, për shkak të pandemisë, masat nuk i kanë parandaluar panairet e librit nëpër qytetet tjera të Kosovës.

Pavarësisht mungesës së blerësve, Berisha po shpreson që në mbrëmje dhe në ditët në vijim do të ketë interesim për blerjen e librave.

“Më vjen mirë që ia kemi nisë përsëri panaireve. Është sikurse me ia nisë përsëri frymëmarrjes. Librat e arrijnë lexuesit përmes librarive. Nuk është vetëm Panairi e vetmja rrugë për blerjen e librave. Ai që lexon libra, blen si në panair si në librari”, thotë Berisha.

Ndërsa, për faktin që për Panairin Qendror të Librit, ende nuk është caktuar një datë, ajo thotë se nuk mund të organizohen lehtë panairet kombëtare në kohë pandemie, për shkak se për viktimat, i bie përgjegjësia shtetit.

“Nëse shteti organizon diçka edhe ka viktima, atëherë bie përgjegjësia mbi shtetin. Ndërsa këtu shteti nuk e ka organizuar, kështu që nuk është problem”, tha ajo.

Ndërkaq, Kristë Shtufi i cili nuk ka asnjë muaj që ka hapur librarinë ‘Alphabet J&H’ edhe pse është hera e parë që merr pjesë në një panair, thotë se me pandeminë është shtuar më shumë interesimi për shitjen e librave online e më pak në panaire.

“Dëme i ka shkaktuar panaireve, por jo shitjes së librave. Njerëzit që donë të lexojnë, i blejnë ato jashtë panaireve, në panaire ose online”, tha ai.

Panairi i Librit ‘Fushë-Kosova 2021’
FOTO: KALLXO.com

Gjatë ditëve të panairit të librit do të ketë edhe punëtori nga punonjësit e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës për restaurimin e librit të dëmtuar, aktivitete letrare e dhurime të librave për bibliotekat e shkollave të Fushë Kosovës.

Panairi organizohet tri ditë me radhë, më 23, 24 dhe 25 korrik 2021, nga ora 09:00 deri në 23:00.

Përveç këtij panairi, panaire të vogla janë mbajtur edhe nëpër qytetet tjera të Kosovës, pos atij në Prishtinë.

Shoqata e Botuesve të Kosovës e kishte shtyrë për në vjeshtë mbajtjen e edicionit të 22-të të Panarit të Librit në Prishtinë.

Shkak për shtyrje, është situata me COVID-19. Ky panair nuk është mbajtur as vitin e kaluar, pikërisht për shkak të coronavirusit dhe masave të marra për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Tradicionalisht Panairi i Librit në Prishtinë është mbajtur në fillim të muajit qershor.

Edon Zeneli, kryetar i SHBK-së kishte thënë për KALLXO.com se Shoqata po shqyrton mundësitë që panairi të mbahet në vjeshtën e këtij viti.

“Si rrjedhojë e gjendjes me pandeminë, panairi nuk mbahet dot në muajin qershor. Do të përpiqemi ta mbajmë në muajin shtator apo tetor, konform vendimeve të Qeverisë dhe gjendjes me pandeminë”, ka thënë Zeneli për KALLXO.com. Panairi i Librit në Prishtinë organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.

Panairi i Librit ‘Fushë-Kosova 2021’
FOTO: KALLXO.com