"Shumë afër" ujdia për armëpushimin në Gazë - thotë Katari

Bisedimet po rifillojnë në Doha për një Marrëveshje armëpushimi në Gazë dhe për lirimin e pengjeve izraelite, pasi ndërmjetësi kryesor, Katari thotë se një ujdi është “shumë afër” – raporton të martën, më 14.01.2025, BBC.

Një zyrtar palestinez në rrjedhë me negociatat ka treguar për BBC-në se, për herë të parë prej nisjes së luftës, delegacionet nga Izraeli dhe “Hamasi” po mbajnë bisedime indirekte në të njëjtën ndërtesë.

Korrespondenti i BBC-së në Gazë, Rushdi Abualouf, ka theksuar se Marrëveshja do të rezultonte me veprime të ndara në faza, me tri pengje të cilat do të liroheshin në ditën e parë dhe Izraeli do të fillonte të tërheqë trupat pas kësaj.

Të dërguarit e Bidenit, ashtu edhe të presidentit të sapozgjedhur amerikan, Donald Trump, kanë pretenduar meritën për përparimin e bisedimeve, por inaugurimi javën tjetër i Trumpit ka sjellë presionin e një afati domethënës – shkruan Tom Bateman i BBC-së.

Lufta u shkaktua nga sulmi i “Hamasit” në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, në të cilin rreth 1200 njerëz u vranë dhe 251 të tjerë u morën në Gazë si pengje.

Izraeli nisi një ofensivë ushtarake në Gazë si kundërpërgjigje dhe Ministria e Shëndetësisë e enklavës e drejtuar nga “Hamasi” thotë se më shumë se 46 mijë njerëz janë vrarë atje gjatë luftës.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com