Foto: Rtv21

Shukri Bujës i vjetrohet lënda gjyqësore për korrupsion

Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës së Prishtinës, në rastin e të akuzuarit Shukri Buja për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për pikën pesë të aktakuzës. Këtë ndryshim e ka bërë pas ankesave të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe mbrojtësve të akuzuarit.

Kjo Gjykatë ka refuzuar akuzën ndaj Bujës, për shkak të kalimit të dyfishit të kohës së afatit të parashkrimit të ndjekjes penale.

“Në rastin konkret nga data 07.03.2011 si datë e veprimit të akuzuarit e deri me datën e lëshimit të këtij aktgjykimi, kanë kaluar më shumë se 10 vite, që nënkupton ka kaluar dyfishi i kohës së parashkrimit. Më saktësisht me datë 07.03.2021, ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale për këtë vepër. Andaj, edhe duhet të ndërpritet çdo veprim i mëtejmë në drejtim të ndjekjes penale”, thuhet në aktgykimin e Gjykatës së Apelit.

Mbrojtja e Shukri Bujës, Arianit Koci ka thënë për KALLXO.com, se aktgjykimi i shkallës së parë ka pasur të meta.

“Nuk kam çka të shtoj, sepse ky është vendim i Gjykatës, mirëpo mund të them se aktgjykimi i shkallës së parë ka pasur të meta, e shkelje të mëdha materiale dhe procedurale”, tha avokati Koci.

Shukri Buja ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Prishtinës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe më 5 nëntor 2018 ishte dënuar me 3 vjet burg, por Apeli e ka kthyer këtë rast në rigjykim.

Gjykata e Prishtinës, kishte nxjerrë aktgjykim refuzues për Bujën për katër pika të aktakuzës, sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare për shkak se kishte vlerësuar se ka arritur afati i parashkrimit.

Për të njëjtën arsye, kalimin e afatit të parashkrimit, Gjykata e shkallës së parë kishte refuzuar edhe pikat 2 dhe 3 të aktakuzës, ku Buja akuzohej për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrjes së ryshfetit dhe ushtrimit të ndikimit.

Gjykata e Apelit me 12 qershor 2019, e kishte anuluar këtë aktgjykim të Gjykatës Themelore dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Ndërsa në rigjykim më 18 shtator 2020 Buja ishte dënuar, me 2 vjet dënim me burgim për veprën keqpërdorim detyre. Përveç kësaj, Buja është detyruar që Komunës së Lipjanit t’i kthejë 79 mijë euro.

Ndërsa më 20 janar 2021, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar vendimin e Gjykatës së Prishtinës për Bujën duke e dënuar vetëm për një vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe duke i shqiptuar dënim plotësues.

Për këtë vepër, Apeli më 2020 i kishte shqiptuar dënim me 1 vit burgim dhe dënim plotësues në ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej 2 viteve.

Për dallim nga kjo pikë dënuese e aktgjykimit, Apelit kishte konstatuar se disa pika të tjera janë parashkruar.

“Për veprat penale nga pikat I, I.1, I.2, I.3, I.4 dhe III të pjesës dënuese ndaj të akuzuarve Sh.B. , H.G. dhe B.R. lidhur me veprën penale nga pika I e pjesës liruese ndaj të akuzuarës M.S., aktakuza është refuzuar, për shkak të kalimit të afatit të parashkrimit të ndjekjes penale”, thuhej në njoftimin e Apelit.

Ky dënim ishte përgjysmuar nga Gjykata e Apelit, pasi që Buja është gjetur fajtor vetëm për një vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare pasi disa nga pikat e tjera të aktakuzës ishin parashkruar.

Ai akuzohej se e kishte keqpërdorë detyrën zyrtare, kishte ushtruar ndikim në zyrtaret e tjerë për të mos e penguar Fahri Ratkocerin në ndërtim të objektit për banim kolektiv, në vendin ku ka qenë fabrika e letrës në Lipjan, pa u pajisur me leje urbanistike, leje ndërtimi dhe dokumentet e tjera të nevojshme.

Buja akuzohej për marrje të ryshfetit pasi sipas Prokurorisë, Retkoceri ia kishte paguar riparimin e veturës zyrtare “Mercedes ML”.

Supremja e prish dënimin ndaj Shukri Bujës