Foto: Rtv21
Shukri Buja: Me ftesë nga Dhomat e Specializuara sot pa dëshirën time udhëtova për në Hagë
Ish-kryetari i Lipjanit dhe ish-komandanti i UÇK-së i Zonës Operative të Nerodimës, Shukri Buja, ka njoftuar se ka udhëtuar për në Hagë për t’u paraqitur “pa dëshirën” e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës.
“Me ftesë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, sot pa dëshirën time, me ftesë të detyruar të paraqitjes, udhëtova për në Hagë”- ka shkruar Buja në Facebook.
Në postimin e tij në Facebook, Buja nuk ka shkruar në çfarë cilësie është thirrur në Hagë.
“UÇK ishte e shenjtë, ishte kundër pushtuesit, falë luftës së saj të armatosur dhe falë përkrahjes së aleateve në veçanti nga SHBA-të ne e gëzojmë lirinë sot.Lufta çlirimtare në Kosovë ishte e imponueshme, e domosdoshme dhe e drejtë, ngaqë ishte e drejtuar kundër një pushtuesi, i cili përpiqej me zjarr dhe hekur të kryente spastrimin e përgjakshëm etnik të Kosovës”- thuhet në postimin e tij.
Gjatë kohës së luftës, Shukri Buja ka qenë komandant i Zonës Operative të Nerodimes.