
Foto: KALLXO.com
Shuhet zjarri në objektin banesor në lagjen "Kalabria" në Prishtinë
Zjarri që kishte shpërthyer më 16.01.2025 rreth orës 18:40 në një objekt banimi në lagjen “Kalabria” në Prishtinë është lokalizuar nga njësitë e Zjarrfikësve rreth orës 20:30.
Policia ka bërë të ditur se 13 personave u është ofruar tretman mjekësor.
Për shkak të zjarrit, pjesëtarët e Zjarrfikësve dhe të Policisë kanë evakuuar disa persona nga objekti banesor.
KALLXO.com ka ofruar pamje të evakuimit të një qytetareje përmes ballkoneve të ndërtesës.
Në vendin e ngjarjes përveç Policisë dhe Zjarrfikësve kanë dalë edhe ekipet mjekësore.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka dalë po ashtu në vendin e ngjarjes, i shoqëruar nga zyrtarë të tjerë komunalë.
Në një prononcim për media, Rama tha se fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, përveç atyre që janë trajtuar për shkak të thithjes së tymit.
Ai tregoi se dy vetura janë djegur e tri janë dëmtuar nga zjarri.