Milaim Zeka - Arkiv

Shuhet partia e Milaim Zekës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) ka marrë sot vendim për të ç’regjistruar 4 parti politike, të cilat nuk e kanë dorëzuar formularin për vazhdimin e regjistrimit të partisë politike.

Në mesin e këtyre partive është edhe ajo e ish-deputetit të Nismës Socialdemokrate, Milaim Zekës, i cili pas largimit nga kjo parti, kishte formuar partinë e tij të quajtur Partia Euro Atlantike të Kosovës (PEK).

Me moton “Nuk mund të jesh hajn dhe patriot, nuk mund të jesh hajn dhe njëkohësisht intelektual”, më 29 qershor të vitit të kaluar, Zeka kishte bërë publike partinë e tij.

Përveç PEK, KQZ ka ç’regjistruar edhe tri parti të tjera: ESDAK – Evropska Stranka Demokratske Akcije Kosova, SLS – Samostalna Liberalna Stranka, si dhe LD – Lëvizja për Drejtësi.

Më 28 gusht të vitit 2018 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë për mashtrim dhe  pastrim të parave nga ana e Zekës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të pandehurit, Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, që nga viti 2016 e deri në mars të vitit 2017, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, fillimisht të pandehurit e lartcekur më 02.06.2016, kanë regjistruar biznesin, si agjencion punësimi, ku kanë paraqitur fakte të rreme kinse për punësimin e qytetarëve të Kosovës në Gjermani, ashtu që të pandehurit Ilir Krasniqi dhe Milaim Zeka, kanë mashtruar 900 aplikues për viza pune.

Të pandehurit prokuroria i akuzon se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale mashtrimi, si dhe ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer edhe veprën penale shmangia nga tatimi.

Gjithashtu, të pandehurit Ilir Krasniqi, Milaim Zeka dhe Edmond Kërliu, sipas prokurorisë kanë kryer veprën penale pastrimi i parave lidhur me veprat penale mashtrimi dhe shmangia nga tatimi.

Sipas aktakuzës gjatë periudhës kohore prej 2 qershorit 2016 e deri më 31 dhjetor 2017, si bashkëpronarë të biznesit “Ilir Krasniqi & Milaim Zeka OP” me seli në Prishtinë, me dashje direkte u janë shmangur obligimeve tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës, në shumë prej 59.981.85 euro me ç’rast akuzohen se kanë kryer veprën penale shmangia nga tatimi.

Aktakuzat, pronat dhe fuqia politike e Milaim Zekës