Zjarrfikësit në Greqi duke shuar zjarret në afërsi të fshatit Rodopoli, në veri të Athinës. 27 korrik, 2021. FOTO: REL/Reuters
Shuhen zjarret në Athinë, por rreziku mbetet i lartë
Nuk ka më asnjë vatër aktive zjarri në rrethinën e Athinës, por zyrtarët vazhdojnë të mbesin në gjendje të lartë gatishmërie, ka bërë të ditur zëdhënësi i brigadës kryesore greke të zjarrfikësve, raporton BBC.
Vasillis Vathrakogiannis i ka thënë BBC-së se zjarrfikësit do të vazhdojnë të mbesin në terren me prani të madhe në rast nevoje. Erërat më të lehta dhe përpjekjet e vazhdueshme të shërbimeve të emergjencave kanë ndihmuar lokalizimin dhe shuarjen e vatrave të zjarreve.
Por ende ka rrezik që të ketë shpërthim të vatrave të reja për shkak të erërave dhe temperaturave të larta që do të kalojnë mbi 30 shkallë Celsius edhe të mërkurën.
Një grua ka vdekur dhe dhjetëra të tjerë – përfshirë edhe zjarrfikës – kanë kërkuar ndihmë spitalore pasi zjarret përfshijnë një territor prej më shumë se 40 mijë hektarësh tokë. Mijëra banorë vendas janë larguar nga shtëpitë e tyre.
Zjarret vdekjeprurëse u afruan në lagjet periferike të Athinës, duke ngritur alarmin në kryeqytetin grek, ku qytetarët thanë se po hasnin në vështirësi që të merrnin frymë për shkak të tymit të përhapur.
Autoritetet greke po vlerësojnë tani gjendjen dhe po përgatisin skemat e kompensimit për banorët e prekur dhe për bizneset që kanë pësuar dëme të mëdha materiale.
Më shumë se 700 zjarrfikës, 199 makina për fikje zjarresh dhe 35 fluturake janë përfshirë në fikjen e zjarreve. Zjarret shpërthyen të dielën rreth 35 kilometra në veri të kryeqytetit grek. Por të hënën u konfirmuan 40 vatra zjarresh në rrethinën e Athinës, me flakët që ishin të larta deri në 25 metra.
Lagjet periferike si Nea Penteli, Vrilissia dhe Patima Halandriou janë mesin e zonave më të goditura nga zjarret.
Marina, banore e Nea Pentelit, ka përshkruar sesi ishte detyruar të largohej nga zona, duke u strehuar për të dytën herë për shkak të zjarreve që po përhapeshin gjithandej.
“Nga shtëpia e mikut – atij mbase i është djegur gjithçka; nuk i ka mbetur asnjë plaçkë. Dhe derisa shtëpia po digjej, u dogj edhe shkolla jonë. Të gjitha kujtimet i kishim aty”, ka thënë ajo.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka ndërprerë pushimet për t’iu kthyer menaxhimit të krizës.
Pas aktivizimit të mekanizmit të përbashkët të mbrojtjes civile, vendet evropiane, përfshirë, Francën, Serbinë, Spanjën, Çekinë dhe Rumaninë kanë ofruar ndihmë, përfshirë fluturake, personel dhe ndihma për Greqinë.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com