
Pete Hegseth, Foto: Facebook
Shtytja e Trumpit për ”ujdi paqeje” nuk tradhton Ukrainën - thotë Hegseth
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka ngulmuar të enjten, më 13.02.2025, se shtytja e ngutshme e presidentit Donald Trump për bisedime paqeje mbi luftën e Rusisë në Ukrainë nuk është “një tradhti” për Kievin, nga një prej aleatëve të tij më të rëndësishëm – raporton televizioni Euronews.
“Ekziston një pranim se e gjithë bota dhe SHBA kanë investuar në paqe, në një paqe të negociuar.” – ka deklaruar Hegseth para takimit të Ministrave të Mbrojtjes të NATO-s, në Bruksel.
Komentet e tij vijnë pasi ai deklaroi të mërkurën se SHBA-ja ka të ngjarë të mos mbështesë kërkesat kryesore të Ukrainës për paqe, duke përfshirë kthimin në kufijtë e saj të para vitit 2014 dhe aspiratat e saj të kahershme për anëtarësim në NATO, të cilat Hegseth i quajti “joreale”.
Hegseth ka përjashtuar gjithashtu mundësinë që trupat amerikane të jenë pjesë e ndonjë misioni paqeruajtës për garantim të stabilitetit, në rast të Marrëveshjes paqësore – një ide që është diskutuar në heshtje muajt e fundit në Europë.
Disa orë më vonë, Trump njoftoi se kishte folur me presidentin rus Vladimir Putin në telefon dhe kishte rënë dakord të fillonte negociatat e paqes.
Ai i bëri jehonë deklaratave të Hegsethit duke deklaruar se nuk ishte shumë i shqetësuar se cilat territore do të dorëzoheshin dhe se ishte “në rregull” me faktin se Ukraina nuk do të kishte anëtarësim në NATO.
Hegsethi ka shtuar të enjten se agresioni rus ndaj Ukrainës është “rivendosje e fabrikuar për NATO-n” dhe moment për të kuptuar se aleanca duhet të jetë “e fortë, e fortë dhe reale”.
Në përgjigje të shtytjes së shpejtë të Trumpit për bisedimet e paqes, Ministrat europianë të Mbrojtjes këmbëngulën se si Ukraina dhe Europa duhet të përfshihen në negociata dhe përsëritën thirrjet për të forcuar shpenzimet e mbrojtjes në kontinent.
Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, John Healey ka deklaruar se Ukraina duhet të jetë “në vijën e parë të lirisë” dhe në “pozitën më të fortë të mundshme” për çfarëdo bisedimesh.
Ai foli për frikën e zakonshme mes aleatëve europianë në dritën e telefonatës së Trumpit, se Rusia “mbetet një kërcënim përtej Ukrainës”.
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius ishte i sinqertë në komentet e tij, duke thënë se “do të ishte më mirë” nëse SHBA-ja nuk do t’i kishte bërë Rusisë lëshime para fillimit të negociatave.
Ministri francez i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu pati ton të ngjashëm, duke thënë se rritja e shpenzimeve të mbrojtjes duhet të fillojë menjëherë. Ai gjithashtu vuri në dyshim nëse NATO-ja do të jetë aleanca më e rëndësishme ushtarake, brenda 10 apo 15 vjetësh.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com