Shtylla e dëmtuar

Shtylla e thyer në Jabllanicë të Pejës, KEDS: Do ta heqim së shpejti

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), është deklaruar lidhur me një shtyllë elektrike të thyer në fshatin Jabllanicë të Pejës, për të cilën KALLXO.com raportoi të dielën.

Lulzim Krasniqi, zëdhënës në KEDS tha se janë në dijeni për gjendjen e saj, por për shkak të disa rrethanave nuk kanë mundur ta zhvendosin deri tash.

“Shtylla e dëmtuar është zëvendësuar me kohë me një shtyllë të re mu afër saj. Megjithatë, siç mund të shihet edhe në foto, kabllot e shumta në shtyllën e dëmtuar janë të operatorëve të internetit dhe kabllovikut” – tha Krasniqi për KALLXO.com.

Ai shtoi se ekziston një afat i caktuar brenda të cilit këta operatorë duhet t’i zhvendosin ato kabllo. Meqë ato kabllo nuk janë zhvendosur deri më tash, ai tha se shpejti do të përkujdesen që ta heqin atë shtyllë të dëmtuar.

Një qytetar ka raportuar se për këtë shtyllë janë ankuar që nga viti 2020 dhe se askush nuk e ka zëvendësuar.