Kuvendi Komunal i Prizrenit

Shtyhet vizita studimore në Shqipëri e asamblistëve të Prizrenit për shkak të aktakuzës së Speciales

Asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit kanë planifikuar që këto ditë të realizonin një vizitë studimore në Shqipëri.

Por, kjo vizitë është shtyrë për shkak konfirmimit të aktakuzës së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe shefit të grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Krasniqi nga Prokurori i Specializuar.

“Për shkak të disa ngjarjeve të ndodhura në skenën politike në ditët e fundit, organizimi i kësaj vizite do të shtyhet për disa ditë andaj edhe hyrja në fuqi e kontratës do të ndodhë në ditën kur me shkrim do të njoftohemi nga organizatori i kësaj vizite se vizita do të ndodhë”, thuhet në kontratën e nënshkruar.

Kontrata në vlerë 8,316 euro është nënshkruar më 6 nëntor mes Komunës së Prizrenit dhe kompanisë NPT “Bashkimi-Reisen”.

Komunës së Prizrenit, një person i ka kushtuar 189 euro përderisa 44 anëtarët që do të realizojnë këtë vizitë në total i kanë kushtuar 8,316.

Me kontratë është paraparë qëndrimi 5-ditor në Durrës dhe vizitat studimore në qytetet përreth sipas agjendës së paraparë.

Kjo vizitë po realizohet në kohën kur në Kosovë çdo ditë po regjistrohen mesatarisht 500 raste pozitive me COVID-19. Gjatë fundjavës që lam pas, Qeveria e Kosovës vendosi për karantimin të 7 komunave të Kosovës dhe ashpërsoi dhe disa masa të tjera në të gjithë Kosovën, si mbylljen e qendrave tregtare dhe gastronomisë.

Kohëzgjatja e kontratës për vizitën studimore në Shqipëri është 10 ditë.

Ky tender është iniciuar nga Komuna e Prizrenit në fund të muajit shtator.