Shtyhet takimi i Presidentes me Admiralin Munsch
Është anuluar takimi mes Presidentes Vjosa Osmani dhe Komandantit të Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admirali Stuart Munsch.
Këtë e konfirmoi këshilltari për media i Presidentes, Bekim Kupina, i cili tha se Osmani nuk ka mundur të dalë në zyrë për shkak të një virusi sezonal.
“Takimi në mes të Presidentes Osmani dhe Admiralit Munsch ka qenë i konfirmuar për sot në orën 15:00, por nuk do të mund të realizohet sot për shkak se Presidentja e kishte të pamundur të dalë në zyrë shkaku i një virusi sezonal. Presidentja ka biseduar me Admiralin Munch nëpërmjet telefonit dhe do të takohet me të së shpejti në njërin nga udhëtimet e radhës” – tha Kupina.
Admirali Munsch, sot është takuar me Kryeministrin Albin Kurti, me të cilin diskutuan për aktivitetet e KFOR-it e mbështetjen e NATO-s për dialogun Kosovë – Serbi.
Paraprakisht, ai është takuar edhe me Komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash në Shtabin e KFOR-it, në Camp Film City, në Prishtinë.
Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim Komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, Admiralin Stuart Munsch sot, më 27.08.2024.
Komanda e Napolit ka njoftuar se ata diskutuan për aktivitetet e KFOR-it e mbështetjen e NATO-s për dialogun Kosovë – Serbi.
“Diskutimet e sotme u fokusuan në aktivitetet e KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme për të gjitha komunitetet në mbarë Kosovën dhe mbështetjen e NATO-s për dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës” – thuhet në njoftim.
Kryeministri priti në takim komandantin e NATO-s në Napoli, Stuart Munsch