Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shtyhet sërish mbledhja e KQZ-së ku pritej miratimi i listës së qendrave të votimit në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) as sot nuk do të mbajë mbledhjen e rregullt, ashtu siç ishte paralajmëruar dje.

KQZ-ja pritej që të sot të mblidhej për të miratuar listën me qendra të votimit të cilat do të hapen për zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar për KALLXO.com se nuk do të ketë mbledhje sot.

“Mbledhja e planifikuar për sot nuk do të mbahet. Jemi në përgatitje të materialeve për mbledhje, për mbajtjen e së cilës do t’iu njoftojmë me kohë” – ka thënë ai.

Dje, KQZ kishte shtyrë për sot mbledhjen e rregullt ku ishte paraparë të diskutohet për zgjedhjet që pritet të mbahen në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Valmir Elezi në një prononcim për media se shtyrja u bë me qëllim të informimit sa më të plotë të anëtarëve të KQZ-së për pikat që ishte planifikuar të diskutoheshin gjatë mbledhjes.

Ai tha se në mbledhje do të diskutohet lidhur me planet operacionale për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe në veri.

Ndërkaq, sa i përket çështjes së qendrave të votimit, Elezi ka thënë së në mbledhjen e radhës, KQZ-ja do të miratojë listën me qendrat votimit të cilat hapen në këto zgjedhje.

Lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në veri është pyetur sot ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se Qeveria është duke pritur vendim nga KQZ.

“Në momentin kur do të kemi informacione që zgjedhjet nuk do të duhej të mbaheshin atëherë do të japim qëndrimin tonë, përndryshe ne i bindemi vendimeve të KQZ-së ”- tha Haxhiu.

Zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe në veri janë paraparë të mbahen më 23 prill të këtij viti.

Iniciativa qytetare Mitrovica në Mitrovicën e Veriut do të kandidojë me Betim Osmanin, ndërsa në komunat e tjera nuk ka kandidat.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për Leposaviq ka kandidate Albulena Behluli-Hetemin, për Zubin Potok kandidat është Izmir Zeqiri, për Zveçan Ilir Peci ndërsa për Mitrovicë të Veriut Taulant Kelmendi.

Lëvizja Vetëvendosje në Leposaviq ka kandidat Lulzim Hetemin, për Zubin Potok ka kandidat Flatron Hasanin, për Zveçan Fetah Pecin dhe për Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq.

Partia Serbët e Kosovës kandidat për kryetar të Leposaviqit ka Aleksandar Jabllanoviqin.

Ndërsa kandidate e pavarur për komunën e Zveçanit është Sllagjana Pantoviq, ka njoftuar KQZ.

Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pasi tha se nuk janë përmbushur kërkesat që e shtynë të largohet nga institucionet e vendit.

Shtyhet për nesër mbledhja e KQZ-së