Shtyhet seanca për rastin e plagosjes së dy të rinjve në Shtërpcë, i dyshuar është një pjesëtar i FSK-së

Gjatë ditës së sotme ishte planifikuar të mbahej seanca fillestare e rastit ku të plagosur kishin mbetur dy të rinj në Shtërpcë, për plagosjen e të cilëve dyshohet një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Mirëpo, seanca nuk u mbajt dhe u shty për më 16 mars, pasi përfaqësuesit e palës së dëmtuar thanë se nuk janë pajisur me shkresat e lëndës dhe se këo shkresa nuk janë të përkthyera në gjuhën që ata e kuptojnë, pra në atë serbe.

Kjo është konfirmuar nga Naim Ferati, avokati i të akuzuarit A.K., 32-vjeçar.

Sipas aktakuzës që ka siguruar KALLXO.com, 32-vjeçari, i cili thuhet se gjendet në masën e paraburgimit, dyshohet se më 6 janar 2023, rreth orës 14:15, në fshatin Brezovicë, ka vepruar në kundërshtim me ligjin lidhur me armët në Kosovë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri përderisa ka qenë duke drejtuar veturën e tij, në pamundësi që të kyçet në rrugën që shpie për në qendrën e skijimit, ku ishin vendosur disa qytetarë të cilët thuhet se ishin mbledhur për të festuar, A.K. tregohet se ka kthyer veturën në drejtim të Shtërpcës dhe sapo është larguar në një distancë të papërcaktuar nga ata persona, në lëvizje e sipër me veturë, përmes dritares, ka shtënë 11 herë në ajër me pistoletë.

Pistoleta thuhet se ka qenë e llojit “Mossberg” model MC2C, kalibër 9X19mm, të cilën ushtari i FSK-së e ka poseduar me leje dhe autorizim.

Përmes këtij veprimi, A.K. akuzohet se ka kryer kryer veprën penale – perdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm.

Tutje dokumentet e siguruara tregojnë se në datën e njëjtë, pra më 6 janar 2023, rreth orës 15:00, në fshatin Gotovushë të Shtërpcës, i pandehuri me dashje, me përdorimin e armës, ka shkaktuar rrezik të madh per jetën dhe trupin e njerëzve.

Dosja sqaron se përderisa ka qenë duke drejtuar veturën e tij në drejtim të Brezovicës, me të arritur në fshatin Gotovushë, ai ka hasur në një grup të qytetarëve.

Këta të fundit, sipas aktakuzës, e kishin penguar A.K. dhe ia kishin pamundësuar lëvizjen e lirë të automjeteve në të dy drejtimet meqë thuhet se ishin duke festuar.

Pas kësaj, 32-vjeçarti fillimisht i kishte rënë borisë me qëllim që t’ia lirojnë rrugën, e më pas përmes dritares së automjetit kishte shtënë një herë në ajër si dhe një herë tjetër në drejtim të ulët, pra në tokë.

Predha e plumbit të shkrepur në drejtim të ulët thuhet se kishte goditur asfaltin dhe një pjesë e kësaj predhe kishte goditur njërin nga të dëmtuarit në pjesën e sipërme të krahut të majtë, ndërsa pjesa tjetër e predhes ka goditur të dëmtuarin tjetër në shpinën e shuplakës së dorës së majtë.

Goditjet nga pjesët e predhës bëjnë që dy të dëmtuarit të pësojnë lëndime trupore, të cilat lëndime, sipas aktakuzës, bazuar në mendimin dhe konstatimin e ekpertit mjekologjor bëjnë pjesë në lëndime të lehta trupore.

Përmes këtyre veprimeve, A.K. akuzohet se ka kryer veprën penale – shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.

Fillimisht, sipas dosjës së Prokurorisë, A.K., dyshohej edhe për vepren penale – vrasja e rëndë në tentativë, mirëpo sipas acvokatit mbrojtës hetimet kanë rezultuar se nuk ka elemtente për kryerjen e kësaj vepre penale.

“Masa e paraburgimit ishte caktuar mbi kërkesën e prokurorit të shtetit mbi dyshimin se i pandehuri ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë” e pas përfundimit të hetimeve ka rezultuar që nuk janë plotësuar elemetetet e veprës së cekur më lartë” – ka thënë avokati Ferati.

Tutje ai ka thënë se mbrojtja ka kërkuar që masa e parburgimit të ndërpritet sepse, sipas tij, kanë pushuar të gjitha arsyet ligjore, por Ferati thotë se propozimi i mbrojtjes është refuzuar nga Gjykata.

Pas rastit që kishte ndodhur, qytetarët lokalë të kësaj zone kishin barrikaduar rrugën për hyrje e për dalje nga Shtërpca për ta liruar prapë pas pak orësh, e pas dy ditëve të njëjtit ishin mbledhur për të protestuar.