Shtyhet seanca për policët e Leposaviçit, kërkojnë shkresat në gjuhën e tyre

Tre zyrtarë policorë të stacionit të Leposaviçit ishte e paraparë që sot të ballafaqoheshin me akuzat për krim të organizuar në Gjykatën e Prishtinës.

Me fillim të seancës, nga ana e mbrojtësve të të akuzuarve u vlerësua se nuk janë arritur kushtet për mbajtje të saj, përkatësisht kushtet për deklarimin e palëve.

E gjithë kjo me arsyetimin se të pandehurit nuk kanë qenë të pajisur me të gjitha shkresat e lëndës dhe se edhe ato që i posedojnë nuk janë të përkthyera në gjuhën amtare të të pandehurve dhe kështu iu pamundësohet të deklarohen lidhur me fajësinë apo pafajësinë e tyre.

Avokatët kërkuan nga ana e gjykatës shtyrjen e seancës për ndonjë datë tjetër, kërkesë kjo që u aprovua nga gjyqtarja e rastit, Albina Rama.

Sipas dosjes së prokurorisë, zyrtarët policorë Ana Vasoviç – Barac, Veroljub Dimitrijeviç dhe Izet Uskoviç që nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, e në bashkëpunim edhe me të pandehurit Rade Readosavljeviç, Milan Jovanoviç, dhe Dragan Radojeviç, të cilët gjenden në arrati, kanë  si grup i organizuar dhe i strukturuar në hierarki në grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurit Rade Radosavljeviç, komandant i stacionit në Stacionit policior në Leposaviq.

Sipas prokurorisë, grupi në vazhdimësi dhe bashkëpunim ndërmjet vete kanë  lejuar dhe mundësuar kontrabandimin e mallrave të ndryshëm dhe atë mallra ushqimore, transportin e drunjëve, barnave dhe derivateve nga Serbia për në Kosovë, dhe anasjelltas nëpërmjet rrugëve ilegale, derisa kanë qenë në detyrë zyrtare duke mbikqyrë rrugët e brezit kufitar në fshatrat Mure, Sharpel dhe Trasava.

Tutje në aktakuzë, thuhet se policët  kanë bashkëpunuar edhe me të pandehurit Aleksandër Dimitrijeviç, Darko Saviq dhe persona të tjerë si transportues të mallrave, ku nga të njëjtit për kalimin e automjeteve me mallëra kanë pranuar shuma të ndryshme të parave, e që një pjesë të tyre e kanë ndarë për vete, ndërkaq pjesën tjetër për komandantin e stacionit- përkatësisht udhëheqësin e grupit Radosavljeviç.

Të njejtët sipas aktakuzës kanë pasur për obligim që secili ndrrim të paguajë në baza mujore shumën prej 700€, ndërsa pjesa tjetër mbetej tek policët e ndrrimit, e këtë shumë të parave e kanë marrë direkt nga ana e kontrabanduesve dhe në vende të caktuara, apo edhe në vende ku janë udhëzuar t’i dorëzojnë si tek pompa e derivateve “Çekaliç”, dyqani “Te Mira”, si dhe në veturën e tashmë të pandehurit Milan Jovanoviq- Llaki.

Bazuar në të gjitha këto, zyrtarët policorë akuzohen nga ana e prokurorisë për veprat penale,pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar, lidhur me veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje e ryshfetit.

Ndërkaq sa i përket dy të akuzuarve të tjerë Aleksandar Dimitrijeviç  dhe Darko Saviç, aktakuza thekson se të njëjtit kanë kontrabanduar këto mallra, duke iu shmangur kontrollit doganor dhe tarifave doganore me rastin e importimit apo edhe eksportimit të mallrave me ndihmën e zyrtarëve policor të lartcekur. Lidhur me këto, të dy akuzohen për kontrabandë të mallrave dhe dhënie ryshfeti.

Gjykata i dha afat Prokurorisë për përkthimin e shkresave dhe shpërndarjen e tyre tek të akuzuarit e rastit, ashtu që seanca e radhës u caktua me datë 26 qershor 2020.